Të punosh me presidentin amerikan, Donald Trump, nuk është gjithnjë e lehtë.
Kështu të paktën është shprehur kryeministri kanadez, Justin Trudeau, që në jo pak raste është përplasur me udhëheqësin amerikan, por që këtë radhë është shfaqur i kënaqur për rinegociimin e suksesshëm të marrëveshjes për tregtinë e lirë në Amerikën e Veriut.
Duke folur për mediet kanadeze, Trudeau tha se kishte në fokus gjatë punës së tij mbrojtjen e interesave të kanadezëve, e këtë ka bërë edhe me marrëveshjen tregtare mes SHBA-ve, Kanadasë dhe Meksikës. I pyetur për marrëdhënien me Trumpin, duke u treguar i kujdesshëm Trudeau tha se nuk është gjithnjë e lehtë.
“Ai e di këtë, edhe unë po ashtu. Ne nuk jemi në një linjë në shumë çështje dhe ndonjëherë është e vështirë të gjejmë një terren të përbashkët, por ia kemi dalë mbanë”, tha Trudeau.
Marrëdhëniet mes dy udhëheqësve u cënuan jo pak në qershor, kur Trump e cilësoi Trudeau të pandershëm dhe të dobët, pasi ai u largua nga Samiti i G7-s që u mbajt në Kanada.
Në intervistë, Trudeau mbrojti po ashtu legalizimin e kanabisit, një nga premtimet e dhëna prej tij në fushatë elektorale dhe që u materializua më 17 tetor. Sipas tij, 90 vite ndalim nuk kishin funksionuar, përkundrazi, vetëm kishin mbushur xhepat e krimit të organizuar.
Top Channel