Në një nga brigjet më të ndotura në botë, 30 palestinezë të rinj janë zhytur në ujë pranë Rripit të Gazës, me mendjet e tyre të mbushura me ëndrra për lavdi olimpike.

Të rinjtë, nga mosha 11 deri në 16 vjeç, janë pjesë e një klubi noti në enklavën palestineze. Trajneri i tyre i vendosi të bënin nxehje, para se të niste garën në plazhin e mbushur me mbeturina.

Kushtet nuk janë aspak të mira, dallgët janë të mëdha dhe ata kanë pak pajisje. Por, trajneri shpjegon se nuk ka pishina publike në Rripin e Gazës, ndaj ata janë të detyruar t’i drejtohen detit dhe të sfidojnë mbeturinat.

Mesdheu lag rreth 40 km bregdet në kufirin perëndimor të Rripit të Gazës, por thuajse askush nuk hyn në ato ujëra. Mungesat e energjisë dhe të infrastrukturës sanitare bëjnë që rreth 100 milionë litra ujëra të patrajtuara të derdhen në det çdo ditë. E në disa zona madje, deti ka ngjyrë kafe.

Më shumë se 95 për qind e ujit që vjen në rubineta është i ndotur dhe sëmundjet e lidhura me ujin janë edhe shkak kryesor i vdekshmërisë foshnjore në Gaza. Situata është rënduar – sipas OKB-së, – edhe për shkak të bllokadës së Izraelit mbi Gazën, që sipas tij ka si qëllim izolimin e Hamasit, grupit që menaxhon Rripin e Gazës.

Top Channel