Kryeministri australian, Scott Morrison u ka kërkuar ndjesë në emër të kombit mijëra viktimave të abuzimeve seksuale, duke pranuar se shteti kishte dështuar të ndalte “djallin” dhe krimet e errëta të kryera në dekada.

“Kjo iu bë australianëve nga australianët, armiqtë në mesin tanë…”, tha Morrison në një fjalim emocional në Parlament, që ishte paracaktuar si një ndjesë për 15 mijë të mbijetuarit e abuzimeve seksuale, kur kanë qenë të mitur.

“Si komb, ne i zhgënjyem ata dhe ky do të jetë gjithnjë turpi ynë”, tha Morrison duke kujtuar se abuzimi, që një hetim qeveritar kishte verifikuar, kishte ndodhur në shkolla, kisha, jetimore, klube sportive dhe institucione të tjera të vendit në dekada.

Zëri i tij ndryshoi madje disa herë ton, ndërsa fliste për një histori shfrytëzimi, mbulimi dhe dështimi të shtetit. Ndjesa shtetërore vjen pasi një komision mbretëror detajoi raste të abuzimit seksual me fëmijët edhe në institucione të besuara.

Në Parlament, ligjvënësit mbajtën edhe një minutë heshtje pas ndjesës së kryeministrit. Aktiviteti normal i Parlamentit u ndërpre më pas në një shpalosje shumëpalëshe të respektit për viktimat. Pas takimit me disa nga viktimat, Morrison iu tha gazetarëve: Nuk kam ndierë kurrë në jetën time kaq dhimbje.

Një numër institucionesh australiane kanë kërkuar ndërkohë ndjesë për dështimin e tyre, përfshirë krerët katolikë australianë, që janë pozicionuar kundër historisë së turpshme të abuzimeve me fëmijët dhe mbulimin e saj. Sipas hetimit, 7 për qind e priftërinjve katolikë në Australi janë akuzuar për abuzim mes viteve 1950-2010, por akuzat rrallëherë janë hetuar dhe viktimat e mitura janë injoruar, madje edhe dënuar.

Top Channel