Golden State shënoi një tjetër fitore në këtë fillimsezoni të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA.

Skuadra kampione në fuqi mposhti Utah Jazz me rezultatin 124-123, në një ndeshje që nuk ishte aspak e lehtë për të. Jerebko ishte ai që iu dhuroi fitoren “Warriors”-ave, me pikët e shënuara në fundin e sfidës.

Utah Jazz bëri shumë mirë në dy periodat e para, të cilat i mbylli me avantazhin e 12 pikëve. Por, pas pushimit të ndeshjes, Golden State përmbysi gjithçka, falë edhe yjeve të saj Kevin Durant (me 38 pikë), Stephen Curry (me 31), Green dhe Thompson.

Për Utah, më i miri në parket ishte Ingles, me 27 pikë të shënuara, i ndjekur nga Mitchell e Crowder, që shënuan respektivisht 19 dhe 17 pikë.

Nuk shkuan mirë gjërat për Cleveland Cavaliers. Nënkampionët e NBA-së pësuan humbjen e dytë radhazi, e këtë radhë skuadra që i mposhti ishte Minnesota, në “Target Center” të Minneapolisit, me rezultatin 131-123.

Jimmy Butler ishte në një ditë të shkëlqyer për “Timberwolves”-at, teksa shënoi 33 pikë personale, ndërkohë që mjaft mirë bëri edhe Wiggins, me 22 pikë të shënuara. Për Cleveland, edhe këtë radhë spikati Kevin Love, që shënoi 25 pikë dhe rrëmbeu 19 topa në tabelë, por ashtu si ndaj Torontos, statistikat e tij nuk ndihmuan “Cavaliers”-at.

Toronto shfaqet sërish në një formë të mirë dhe mposht Boston Celtics. Në “Scotiabank Arena”, skuadra kanadeze e “Raptors”-ave iu imponua asaj nga Massachusets, me rezultatin 113-101.

Bostoni e nisi më mirë sfidën, teksa fitoi periodën e parë me rezultatin 25-18, por reagimi i Torontos ishte i menjëhershëm, pasi skuadra kanadeze e ktheu situatën në favorin e saj falë Leonard. Ish-lojtari i San Antonios ishte në një ditë të shkëlqyer dhe e mbylli ndeshjen me 31 pikë e 10 topa në tabelë.

Bostoni tentoi të përgjigjej me Kyrie Irving, që shënoi 21 pikë, por pa sukses.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA