Shkolla e Eneas është 5 kilometra larg shtëpisë. Për këtë arsye, ai merr furgonin e fshatit. Të enjten ai nuk ishte në shkollë, sepse prindërit nuk arritën të siguronin lekët e rrugës. Rruga nga fshati Priskë e Vogël deri në Zallherr kushton 120 lekë.
“Pardje nuk isha në shkollë, ndërsa dje po. Kur ika në shkollë, mësuesja më tha pse nuk kisha shkuar një ditë më parë. I thashë të vërtetën, s’kisha parà që t’i jepja furgonit. Nuk e di nëse do të shkoj çdo ditë, sepse ne nuk ia kemi dhënë furgonit paratë”, thotë Enea Qefalia.
Për të siguruar të ardhurat, babai i Eneas bën punë krahu. Ai ka 3 fëmijë, dy prej të cilëve i dërgon në shkollë. Për të çuar fëmijët në shkollë, vetëm për rrugën atij i duhen 240 lekë, ndërkohë që shteti jep vetëm 80 lekë për fëmijë.
“Unë kam tre fëmijë. Dy i kam në shkollë një në kopësht. Nuk kam as ndihmë ekonomike, as në punë shteti nuk jam. Punë krahu punoj cfarë të më dali që të coj fëmijët në shkollë. Dje i ndalova fëmijët për shkollë. Sot morën masa gjasmë do t’i sjellim lekët nuk i sollën. Nëser unë i ndaloj prap sepse shoferi nuk i mer pa lek. Aq sa na ka ofruar shteti neve shoferi nuk eshte dakort”, tha SINKRON BLERIM QEFALIE.
Në fshatin Priskë e Vogël janë afërsisht 20 fëmijë që shkojnë çdo ditë në Zallherr për të ndjekur shkollën. Banorët thonë se jetojnë më ndihmë ekonomike.
Edhe pse fshati Priskë e Vogël është vetëm 40 kilometra larg Tiranës, rruga e keqe e bën atë edhe më të largët. Banorët e zonës kërkojnë njëzëri që shteti t’u mbulojë transportin e fëmijëve sa kushton në realitet. 40 lekë diferencë për ta, në fund të muajit bëjnë 800 lekë më shumë.
“Unë kam 4 fëmijë në shkollë, furgoni do 120 lekë për fëmijë. Ne nuk mund t’i paguajmë, shteti na ka dhënë vetëm 80 lekë. Ne nuk mudemi t’i paguajmë, ne jetojmë vetëm me ndihmë ekonomike 7.500 lekë, jemi vet i shtatë”, thotë një banor.
“Jemi në vështirësi për pagesën e makinës. Dje kemi ndaluar fëmijët nga shkolla për këtë arsye”, tha një tjetër banor.
“Unë dje nuk isha në shkollë për arsye të pagesës. Shoferi nuk na merr po nuk i dhamë lekët”, u shpreh një nxënëse.
Top Channel