Presidenti amerikan, Donald Trump ka shkaktuar jo pak polemika, pasi lëvdoi një kongresmen republikan që sulmoi një gazetar vitin e kaluar, duke thënë “Ai është djali im…”.

“Greg është i zgjuar”, tha Trump për kongresmenin e Montanas, Greg Gianforte. “Dhe meqë ra fjala, mos u përballni asnjëherë me të. Kushdo që mund të bëjë një hedhje tuç, është tipi im”, tha ai i pritur me brohoritje dhe të qeshura në një tubim në Montana.

Komiteti i Mbrojtjes së Gazetarëve dhe e përditshmja “Guardian” i bënë thirrje Trumpit të kërkojë ndjesë.

Gianforte, 56 vjeç, sulmoi një gazetar të britanikes “The Guardian” në prag të zgjedhjes së tij, vitin e kaluar. Ai u urdhërua të paguante 385 dollarë gjobë, të kryente 40 orë shërbim në komunitet dhe 20 orë këshillim për menaxhimin e zemërimit.

Ben Jacobs, gazetari që u sulmua, pranoi të mos padiste Gianforten nëse ai do të shkruante një letër ndjese dhe do të dhuronte 50 mijë dollarë për Komitetin e Mbrojtjes së Gazetarëve.

Duke kujtuar frikën e tij se sulmi i vitit 2017 mund të dëmtonte mundësitë e Gianfortes për të fituar zgjedhjet e posaçme për Kongresin, Trump u tha mbështetësve:

“Thashë, prit një minutë. Unë e njoh Montanën mirë dhe unë mendoj se ajo do ta ndihmojë atë, dhe e bëri”.

E pasi lëvdoi Gianforten, Trump imitoi më pas një person që hidhet me forcë në tokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA