Më shumë se një shekull pasi guri i parë i saj u vendos në themel, e 92 vite pasi arkitekti i famshëm i saj u godit në mënyrë fatale nga një tramvaj, “Sagrada Familia” në Barcelonë më në fund po legalizohet.
Një marrëveshje mes kishës dhe Këshillit të qytetit ka bërë që projekti, për të cilin punimet kanë nisur në vitin 1882, do të marrë lejen e ndërtimit për të parën herë.
Kryevepra e papërfunduar e Antoni Gaudit është vendi më i vizituar nga turistët në Barcelonë dhe tërheq 20 milionë vizitorë çdo vit. Por, deri të enjten, ajo nuk ka pasur lejet e duhura.
“Marrëveshja e re do të formalizojë punimet e ndërtimit dhe do të hapë rrugën për një plan për studimin e zgjidhjeve urbane, në mënyrë që të përfundojë projekti i Antoni Gaudit”, u tha nga Këshilli i qytetit.
Marrëveshja përfshin skema për përmirësimin e transportit publik dhe zonës përreth. “Sagrada Familia” do të paguajë ndërkohë 22 milionë euro për të ndihmuar infrastrukturën e transportit nëntokësor.
“Sagrada Familia është një ikonë dhe monumenti më i vizituar në qytetin tonë. Pas dy vitesh dialog, ne kemi arritur një marrëveshje”, tha Ada Colau, kryebashkiake e Barcelonës.
Punimet në “Sagrada Familia” nisën në mars të vitit 1882, bazuar në dizajnin neogotik të arkitektit Francisco de Paula del Villar y Lozano. Kur ai dha dorëheqjen menjëherë më pas, Gaudi mori frerët me dizajnin e tij ndoshta më të famshëm dhe idiosinkratik.
Me fat, punimet do të përfundojnë brenda 8 vitesh, në 100-vjetorin e vdekjes së Gaudit, dhe 143 vite pas fillimit të tyre.
Top Channel