Verën e 2017-ës, transferimi i Alvaro Moratës te Chelsea ishte një nga më të bujshmit, por pas vetëm pak javësh, Antonio Conte e uli në stol, i zhgënjyer nga performanca e tij.
Me Maurizio Sarrin u duk se diçka kishte ndryshuar, pasi sulmuesi spanjoll u nis si titullar, por duket se edhe këtë herë Morata nuk ka bindur, duke treguar qartë se kampionati anglez nuk bën për të.
Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit londinez kanë menduar të largojnë Moratën në merkaton e Janarit dhe të vihen në kërkim të një tjetër futbollisti, pasi as francezi Olivier Giroud nuk është se gëzon ndonjë raport të mirë me golin.
Sipas mediave angleze, ëndrra e Maurizio Sarrit është që të ketë në dispozicion kapitenin e Interit, Mauro Icardi, të cilin e kërkoi me ngulm edhe te Napoli, kur u largua argjentinasi tjetër, Gonzalo Higuain.
Gjithsesi kjo është një nga ato lëvizje që nuk bëhet në merkaton e janarit, ndaj blutë e Londrës po mendojnë të rikthejnë në skuadër sulmuesin e huazuar te Valencia, Mitchy Batshuay, i cili njeh mirë skuadrën, por edhe kampionatin anglez.
Sa i përket Moratës, plani fillestar është huazimi në ndonjë skuadër italiane ose spanjolle, për të rivlerësuar kartonin e tij dhe për të përfituar sa më shumë nga shitja verën e ardhshme.
Top Channel