Franca ka njoftuar këtë të premte se do të dërgojë një aeroplanmbajtëse në oqeanin Indian, vitin e ardhshëm, për të mbrojtur lirinë e lundrimit në një kohë kur Kina këmbëngul edhe më shumë me praninë e saj në ujëra të diskutueshme.

Aeroplanmbajtësja “Charles de Gaulle”, aktualisht në portin jugor të Toulonit në Francë për t’iu nënshtruar rinovimit, mund të jetë gati për lundrim drejt oqeanit Indian në fillim të vitit të ardhshëm, sipas asaj që ka njoftuar ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly.

“Franca ka qëndruar gjithnjë në vijën e frontit, në mbrojtje të të drejtës së patjetërsueshme të lundrimit në ujëra ndërkombëtare”, tha Parly për gazetën “La Provence”. “Kurdo që të ketë shkelje të këtij parimi fundamental të ligjit ndërkombëtar, siç ka ndodhur së fundi në Kinën jugore, ne duhet ta demostrojmë lirinë tonë për të vepruar dhe lundruar në ujëra të tillë”, shtoi ajo.

Në maj, helikoptermbajtësja franceze “Dixmude” lundroi në ujërat e detit të Kinës Jugore, ndërsa një skuadron avionësh francezë fluturoi mbi rajonin e diskutueshëm në muajin gusht. Po në maj, presidenti francez Emmanuel Macron, duke folur gjatë një udhëtimi në Australi, tha se asnjë vend nuk duhet lejuar të dominojë rajonin.

Franca, Australia dhe India kanë përgjegjësinë për të mbrojtur rajonin nga “hegjemonia”, një referencë e qartë për fuqinë në rritje të Pekinit, do të shprehej asokohe ai. Franca ka një numër territoresh ishullore në oqeanin Paqësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA