Shkatërrimi i pjesshëm i një vepre arti të Banksyt nuk shkoi sipas planit dhe kjo është konfirmuar nga vet artisti enigmatik.
“Dashuria është në kosh të plehrave” u vetëshkatërrua në kornizën e saj, menjëherë pasi u shit për rreth një milion euro në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s”, javën e shkuar.
Tani, Banksy ka hedhur në rrjet një video, që sugjeron se e gjithë kanavaca duhej të grimcohej dhe jo vetëm dy të tretat e saj. Një klip me pikturën që grihej tërësisht shihet në video, nën mbishkrimin “gjatë provave funksiononte gjithnjë”.
Në video shihej piktura që grimcohej deri në fund, në dukje në studion e Banksyt. Madje, shfaqeshin edhe imazhe të reja nga brenda dhomës së ankandit, përfshirë atë kur u shtyp butoni që ndezi vetëshkatërrimin e veprës.
Drejtuesit e “Sotheby’s” kanë deklaruar se shtëpia e ankandeve nuk ka qenë pjesë e planit. Ata thanë madje se arsyeja përse grirësja e letrave nuk ishte pikasur nga stafi, ishte se ata ishin instruktuar se korniza ishte pjesë e rëndësishme e veprës.
Sidoqoftë, gruaja që e bleu “vajzën me tullumbace”, që u shkatërrua pjesërisht, ka thënë se do ta mbajë veprën në formën që është. Kjo nuk është e para herë që një vepër arti krijohet aksidentalisht…
Koleksioni i famshëm i Andy Warhole, “Kanacet e supës Campbell”, në fillim ishin pjesë të veçanta që nuk u shitën shumë dhe më pas u bënë të gjitha bashkë, e u shitën si një njësi e vetme, pavarësisht se kjo nuk ishte ideja fillestare.
Top Channel