Prokurorët pyesin Ballën për çështjet “Babale” dhe “Xhisiela”

18/10/2018 20:39

E mërkura e ardhshme është dita vendimtare për Fredi Alizotin nëse do ta lërë apo jo qelinë, megjithatë tanimë nuk është zëri i tij që po ju hap punë prokurorëve, por shfaqja në një video nga e cila prokurorët janë kthyer në gjurmues të thashethemeve.

Të ngecur mes Babales dhe Alizotit prokurorët po thërrasin të gjithë personat e përmendur nga këto dy personazhe. Por ndërsa për audio-përgjimin Babalja nuk po ndodh asgjë për sa kohë Albert Veliu gjendet në Kosovë, rrëfimi në video-përgjim i Alizotit ka dërguar deri më tani 6 persona.

Për këtë arsye ishte radha e deputetit socialist, Taulant Balla, për t’u pyetur nga prourorët përderisa Alizoti pretendoi se e kishte takuar përpara se të hynte tek Krimet e Rënda.

“Nuk e kam takuar kurrë Alizotin, se kam telefonuar kurrë”, tha Taulant Balla.

Përmendjen e emrit ngado, Taulant Balla e ka marrë aq seriozisht sa po përgjigjet me kallëzime, më të fundit të dorëzuar pak ditë më parë.

“Alizoti tha Taulanti nga Librazhdi, Luli e Salianji thanë Taulant Balla ndaj erdha, po për këtë kam kallëzuar dhe çështja do shkojë atje”.

Për të njëjtin motiv u thirr në Prokurori edhe Sali Lusha, që gjithashtu është përmendur nga Alizoti, i cili e ka shfrytëzuar vëmendjen e medias edhe për pak politikë.

Përveç Babales, edhe dosja “Xhisiela” ka përfshirë përveç Krujës edhe Prokurorinë e Tiranës. Prokurorët e kryeqytetit po hetojnë pretendimin e oficerit Emiliano Nuhu që thotë se është kërcënuar nga familja Rraja dhe nga ana tjetër edhe kallëzimin e Taulant Ballës që akuzon opozitën se ka shpërdoruar detyrën e ka kryer kallëzim të rremë kur thotë se gjatë kërcënimit të Nuhut ishte i pranishëm edhe deputeti socialist. Nisur nga ky qëndrim, Prokuroria ka pyetur përveç të kallëzuarve edhe personazhet e përmendur, sikurse është edhe kryebashkiaku Artur Bushi.

Edhe për zbardhjen e kësaj historie do të vijnë në Prokurori edhe deputetë të tjerë demokratë të kallëzuar.

Top Channel