Ngushtica e Hormuzit vë me “shpatulla pas muri” industrinë ajrore, BE paralajmëron për mungesë karburanti
Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që të mos ketë një fajësim të nxituar të Arabisë Saudite për zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi në Twitter se kishte folur në telefon me Princin saudit të Kurorës dhe se ai e ka mohuar tërësisht të ketë qenë në dijeni të asaj çfarë ndodhi brenda konsullatës në Stamboll.
Komentet e Trumpit vijnë pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pati në Rijad me Mbretin Salman dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, i konsideruar udhëheqësi “de facto” i vendit. Fokusi i takimeve ka qenë pikërisht zhdukja gati dy javë më parë e Khashoggit, i cili hyri në ndërtesë, por nuk doli më kurrë prej andej.
Trump nënvizoi se gjatë bisedës telefonike, princi e ka informuar mbi nisjen e menjëhershme të një hetimi mbi ngjarjen e rëndë. Përgjigjja, sipas Presidentit amerikan, do të vijë së shpejti.
Sauditët kanë hedhur poshtë pretendimet e Turqisë se ishin agjentët e mbretërisë ata që vranë Khashoggin brenda konsullatës më 2 tetor, por Departamenti i Shtetit nuk tha se çfarë i deklaruan Sekretarit Pompeo monarku dhe trashëgimtari i fronit në takimet private.
Deri tani nuk ka patur deklarata për fatin e gazetarit të zhdukur, megjithëse, sipas raporteve në disa media amerikane, përfshirë CNN, Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se 60-vjeçari u vra pasi hyri në konsullatë, duke ia faturuar vdekjen marrjes së tij në pyetje që shkoi keq.
Top Channel