Njësia 4 ishte ndalesa e dytë e turit të dëgjesave me qytetarët e Bashkisë së Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilancin e punës së realizuar në këto 3 vjet.

Erion Veliaj, theksoi se “Njësia 4 është simbol i transformimit që ka pësuar e gjithë Tirana, duke ndjerë më shumë se çdo njësi tjetër investimet e bëra”. “Kjo jo vetëm sa i përket rehabilitimit të Lumit Tirana, por për të gjitha punët e bëra, duke nisur nga më të vegjlit me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, infrastruktura rrugore, ujësjellës etj. Për këtë ai theksoi se çdo qytetar që i besoi votën 3 vite më parë duhet të ndihet krenar”.

“Janë gjithmonë të sikletshme takimet kur kthehesh në vende ku s’ke mbajtur fjalën, ku s’ke bërë asnjë punë, por duke filluar nga salla ku jemi sot e deri tek rruga që na solli këtu, te mënyra si ka ndryshuar kjo lagje, besoj se secili që i thotë vetes socialist duhet ta mbajë kokën lart e të ndihet krenar që partia jonë, vota për forcën tone, sjell një transformim të paimagjinueshëm. Ne nuk jemi një forcë që ndryshon gjërat një herë në katër vjet, ne jemi një forcë politike që çdo javë ndryshon diçka. Bregu i Lumit ishte një fjalë fyese; po t’i thoje dikujt je nga Bregu i Lumit, praktikisht po i thoje, s’ ke vlerë, unë s’flas me ty, je pa dinjitet, ik kthehu nga ke ardhur! Sot të thuash Bregu i Lumit është tjetër gjë, kjo është një ndër shkollat më të mira jo në Tiranë, por në Republikë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Një nga investimet më të mëdha dhe që kanë sjellë një transformim rrënjësor në Njësinë 4 është ai për rehabilitimin e Lumit Tirana dhe zhvendosja e familjeve rome që jetonin aty në banesa komode.

Sa i përket rehabilitimit të Lumit të Tiranës dhe zhvendosja e familjeve rome që jetonin aty në banesa komode, Veliaj u shpreh: “E gjithë kjo zonë ku sot është shkolla përmbytej. Sot jemi dita me natën. Mënyra se si mbaroi në kohë rekord i gjithë transformimi i Lumit të Tiranës, bashkëpunimi që patëm në komunitet, njerëzve u duket si përrallë nga e kaluara, kur para tre vitesh mblidhnim plaçkat në krahë dhe bënim evakuimet. Kur kujtoj ata të partisë së Babales që jepnin konferenca për shtyp, ne duke ndihmuar njerëzit, ata konferencë për shtyp, e thoshin mos të hiqen njerëzit nga Bregu i Lumit. Jo, mor shok, jo, ke të drejtë të banosh dhe ne të kemi çuar në banesë sociale”.

Sa i përket investimeve në sistemin e infrastrukturës arsimore, Veliaj bëri të ditur se pas plotësimit të nevojave më imediate në këtë fazë të parë me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, puna do të vijojë më tej.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dha edhe lajmin e mirë për të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi që të blejnë një banesë. Siç ka ndodhur në dy fazat e tjera, sërish rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë nga Bashkia e Tiranës, e cila merr përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar. Por, përveç kredive të buta, Bashkia e Tiranës ka edhe tre skema të tjera për të mbështetur familjet, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike që të sistemohen në një strehë.

Top Channel