Një avion, në të cilin udhëtonte Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, është detyruar të kthehet prapa, pasi tymi mbushi kabinën.

“Melania po udhëtonte nga Uashingtoni në Filadelfia, kur ndodhi një problem i vogël mekanik”, tha zëdhënësja e saj, Stefani Grisham.

“Gjithçka është në rregull tani dhe të gjithë janë të sigurtë”, shtoi më tej Grisham në një deklaratë për shtyp.

Avioni u rikthye në bazën ushtarake “Andrews”, bazë kjo që përdoret nga Shtëpia e Bardhë, jashtë Uashington DC.

CNN dhe televizione të tjera amerikane thanë se gazetarët në bordin e avionit kishin nuhatur tymin në kabinë dhe iu ishte thënë të mbanin shami të lagura në fytyrë, nëse situata do të përkeqësohej. Sidoqoftë, tymi u ndal dhe avioni u kthye pa ndonjë incident tjetër.

Melania Trump do të vizitonte një spital në Filadelfia të specializuar në trajtimin e nënave me probleme të përdorimit të opioidëve dhe bebeve të lindura me varësi nga ilaçet, ndaj të cilëve janë ekspozuar që në barkun e nënave.

Top Channel