Me një deklaratë televizive për mediet, kryeministri grek Alexis Tsipras ka pohuar se, me dhimbje në zemër ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, duke dhënë midis të tjerash mesazhin se do të sigurojë përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes së Prespës.

“Vendosa që të marr Ministrinë e Jashtme në këtë moment, por edhe përgjegjësinë, duke dhënë njëkohësisht një mesazh se kjo zgjedhje është një opsion që sinjalizon vendosmërinë time për të bërë çdo gjë që kam në duar për të siguruar përfundimin me sukses të marrëveshjes historike të Prespës, që përmirëson rolin ndërkombëtar të vendit”, tha Alexis Tsipras.

Kotzias ka dhënë dorëheqjen pas disa debateve të ashpra me ministrin Kammenos, i cili kishte paraqitur në SHBA një plan të dytë, në rast të dështimit të marrëveshjes së Prespës. Kur kjo çështje është shtruar në mbledhjen e kabinetit, kryeministri Tsipras, për të mos krijuar përçarje me partnerin qeveritar, ka ndarë përgjegjësinë e konfliktit midis dy ministrave, e ky ka qen shkaku që kreu i diplomacisë greke ka dhënë dorëheqjen.

“Kryeministri dhe disa ministra bënë zgjedhjen e tyre. Edhe unë bëra timen”, ka shkruar Kotzias në Twitter pak më vonë.

Burime pranë zyrës së kryeministrit grek theksojnë se, asgjë nuk do të ndryshojë në politikën e jashtme greke, e sidomos arritjet e bëra në lidhje me fqinjët: marrëveshja e Prespës dhe paketa e çështjeve me Shqipërinë.

Përkundrazi, thuhet se do të ketë një shtytje edhe më të madhe, që këto çështje të gjejnë zgjidhje përfundimtare para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Greqi, që planifikohen në verë ose në vjeshtë të vitit 2019.

Tsipras madje ka çuar mesazh të ri tek udhëheqja e Shkupit, duke e inkurajuar atë të përfundojë me vendosmëri marrëveshjen, sepse nuk do të ketë një mundësi të dytë për këtë problem. “Greqia – ka shtuar ai, – nuk do të pranojë kurrë integrimin e vendit fqinj në BE dhe NATO me emrin e sotëm kushtetues, Republika e Maqedonisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA