Theresa May pritet t’i kërkojë liderëve të Bashkimit Europian ta mbajnë të hapur derën e negociatave të Brexit-it pas takimit 2-orësh e gjysmë të kabinetit të saj, i cili nxori në pah dallimet e thella mes anëtarëve të ekzekutivit.
“Nëse do të jemi të bashkuar si qeveri, mund t’ia dalim”, i tha May ministrave, por duket se e ka të pamundur t’i bindë të gjithë. Një pjesë e tyre nënvizojnë rëndësinë e kufirit irlandez dhe duan garanci që ai nuk do ta ndajë Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar dhe kjo është një nga pikat ku Londra dhe Brukseli kanë mosmarrëveshjet më të mëdha.
Franca ndërkohë mendon se marrëveshja për Brexit-in edhe mund të arrihet, por jo në orët e vona të së mërkurës, kur edhe pritet të takohen liderët europianë në kryeqytetin belg. As Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk nuk beson se do të ketë një ujdi të shpejtë.
Kurifi irlandez vazhdon të mbetet një nga çështjet kyçe për t’u zgjidhur, tha një zyrtar i lartë i presidencës franceze për Reuters. “Ne besojmë se ideja e marrëveshjes mund të arrihet, ndonëse jo që sot”, shtoi ai, duke nënvizuar se shtyrja e negociatave për Artikullin 50 përtej 29 marsit të vitit 2019, edhe pse ligjërisht e mundshme, nuk është e “mirëpritur”. Parisi ka mbajtur një qëndrim të ashpër sa i përket ruajtjes së një fronti të bashkuar europian dhe pret që 27 liderët e bllokut t’i përcjellin Britanisë një mesazh të fortë.
Më pak se 6 muaj përpara se Anglia të largohet nga BE-ja, bisedimet e Brexit-it kanë mbetur në vendnumëro, duke ngjallur shqetësim për ecurinë e procesit.
Top Channel