Të paktën 17 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pas një sulmi në një kolegj në Krimenë e aneksuar nga Rusia.

Zyrtarët thanë fillimisht se një mjet i paidentifikuar shpërthyes ishte detonuar, por tani thonë se të gjithë viktimat kishin humbur jetën si pasojë e plagëve nga armë zjarri, në kolegjin teknik në Kerch.

Lexo edhe:
Shpërthim në një kolegj në Krime, raportohet për viktima

Hetuesit rusë thanë se, një nxënës 18-vjeçar, fajtor për sulmin, kishte vrarë veten. Autori i sulmit është identifikuar si Vladislav Roslyakov, që thuhet se ka hapur zjarr mbi ata që ndodheshin në godinë. Në total, 40 persona janë plagosur.

Televizionet ruse citojnë një mik të autorit, që thotë se ai e urrente shumë shkollën teknike. Incidenti u cilësua fillimisht si akt terrorist, por hetuesit rusë e riklasifikuan më pas si një vrasje masive.

Presidenti Vladimir Putin foli për një ngjarje tragjike dhe shprehu ngushëllimet për të afërmit e viktimave.

Sipas zyrtarëve lokalë, pjesa më e madhe e viktimave janë nxënës të shkollës teknike, ku studiojnë rreth 850 adoleshentë. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, të gjitha shkollat dhe kopshtet u evakuuan pas ngjarjes në qytet.

Kerch ndodhet në një pikë ku Moska ka ndërtuar një urë mes gadishullit të Krimesë dhe Rusisë. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës mbeten të ngrira, që nga aneksimi i Krimesë dhe konflikti me rebelët prorusë në lindje të Ukrainës.

Kryetari i Parlamentit të Krimesë, i mbështetur nga Rusia, sugjeroi madje se Kievi mund të qëndrojë pas sulmit në shkollën teknike, duke thënë se të gjitha të këqijat në tokën e Krimesë vijnë nga Ukraina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA