Turqia ka zgjeruar kërkimin e saj për gjurmë të gazetarit të zhdukur saudit, Jamal Khashoggi, duke përfshirë edhe rezidencën e konsullit saudit në Stamboll.
Vet konsullata, ku Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor, iu nënshtrua kontrolleve të hetuesve turq të hënën, për të parën herë.
Konsulli saudit është larguar tashmë nga urqia. Presioni po rritet mbi Arabinë Saudite për të dhënë një shpjegim të plotë se çfarë ka ndodhur me Khashoggin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u takua me krerët sauditë në Rijad dhe pritet tashmë të mbërrijë në Turqi. Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë nga agjentë sauditë, por Rijadi e ka mohuar këtë.
Gjatë natës, policia turke përfundoi një operacion kontrolli në Konsullatë, pasi u lejua nga autoritetet saudite. Por, sipas medieve turke, konsulli është larguar nga Turqia disa orë para se të niste kontrolli në rezidencën e tij.
Vendimi për të zgjeruar zonën e kërkimit, për të përfshirë edhe rezidencën e konsullit, u bë i ditur nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, që shtoi se ai nuk kishte marrë asnjë rrëfim nga ana e autoriteteve saudite.
Burimet thonë se makina me targa diplomatike janë parë të lëvizin nga Konsullata drejt rezidencës së konsullit, ditën kur u pa për të fundit herë Khashoggi. CNN, ndërkohë, shkruan se sipas disa burimeve, gazetari mund të jetë vrarë pasi një operacion për marrjen e tij në pyetje, në konsullatë, ka shkuar keq.
Top Channel