Ministrat e kabinetit qeveritar në Maqedoni i kanë hedhur poshtë raportet në shtypin vendas, sipas të cilave kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev është shprehur i gatshëm për kompromise të dhimbshme, siç do të ishte falja e sulmit të 27 prilli ndaj ligjvënësve në Parlament.

“Mediet i kanë keqkuptuar fjalët e tij”, deklaroi ministri pa portofol, përgjegjës për Diasporën, Edmond Ademi.

Thirrja e Zaevit për pajtim kombëtar, sipas Ademit nuk nënkupton në asnjë mënyrë një amnisti.

“Gjyqet që përfshijnë episodin e dhunshëm të prillit të kaluar nuk kanë lidhje me apelin për pajtim”, deklaroi ministri.

Në Shkup, ndërkohë, debati në Parlament mbi ndryshimet kushtetuese vazhdon. Qeverisë së Zaevit i nevojiten dy të tretat e votave të ligjvënësve, që nisma të marrë “dritën jeshile”, vota këto të cilat ekzekutivi nuk i ka.

Zvarritja e çështjes duket se mund të ketë pasoja që i kapërcejnë kufijtë e vendit. Kreu i partisë së djathtë të “Grekëve të Pavarur”, Panos Kammenos kërcënon tani me tërheqje nga koalicioni qeverisës, nëse ujdia vjen në Parlament.

Kryeministri majtist Alexis Tsipras dhe Kammenos i bashkuan forcat në vitin 2015, me qëllim nxjerrjen e Greqisë asokohe nga kriza e thellë e borxhit. Por, marrëveshja që Tsiprasi arriti me Maqedoninë e ka lëkundur koalicionin, e tani ministri i Mbrojtjes Kammenos deklaron se nuk do të votojë për të, nëse shkon në Parlament.

“Nëse shumica parlamentare vendos për divorc, divorci do të ndodhë”, citohet të ketë thënë ai. Nacionalistët grekë e kundërshtojnë kategorikisht paktin, me pretendimin se emërtimi “Maqedoni” është historikisht grek dhe pjesë e trashëgimisë greke.

Që kur Maqedonia shpalli pavarësinë në vitin 1991, Athina nuk ka reshtur se këmbënguluri se ky emër nënkupton se fqinji i vet ka pretendime territoriale ndaj rajonit grek me të njëjtin emër, e ka bllokuar rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA