Donald Tusk duket se ka “ngrirë” shpresat për një zgjidhje mbi “Brexit”-in në samitin e BE-së, të mërkurën, duke thënë se kufiri irlandez mbetet një pikë delikate.

Presidenti i Këshillit Europian tha se nuk ka vend për optimizëm se çështja mund të zgjidhet në samit. Ai i kërkoi Theresa Mayt të dalë me propozime konkrete për të kapërcyer “rrugën pa krye” të krijuar.

“Ashtu siç e shikoj unë, shpresa për një marrëveshje për momentin është e paktë dhe nevojitet shumë vullnet i mirë dhe vendosmëri nga të dyja anët”, tha Tusk.

Sidoqoftë – tha ai, – nevojiten propozime konkrete nga ana e kryeministres May, sesi mund të kapërcehet kjo pengesë.

Ndërkohë, vet May tha se një marrëveshje ishte e arritshme, nëse qeveria do të qëndronte e fortë dhe e bashkuar.

Të dyja palët në bisedimet për “Brexit”-in shpresojnë që një marrëveshje për daljen e Britanisë nga BE-ja, përfshirë çështjen e kufirit irlandez, do të arrihet deri në mes të nëntorit, në kohë që ajo të ratifikohet nga vendet anëtare të bllokut dhe nga Britania e Madhe.

Sidoqoftë, shpresat për samitin e së mërkurës janë të pakta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA