Australia mund të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe ta zhvendosë Ambasadën e saj në Jeruzalem, duke e njohur atë praktikisht si kryeqytetin e Izraelit.
Nëse pohimet e kryeministrit Scott Morrison bëhen realitet, kjo lëvizje do të përbënte të njëjtën kthesë politike si ajo e Uashingtonit, që tërhoqi një valë kritikash të ashpra në të gjithë botën.
Pavarësisht deklaratës së fortë të tij, Morrison theksoi sërish se Australia mbetet e angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit izraelito-palestinez, që përfshin ekzistencën e dy shteteve.
“Por, që të jemi të sinqertë, – shtoi ai, – kjo lloj përpjekje nuk po shkon edhe aq mirë. Deri tani nuk është bërë ndonjë progres i madh”.
Kundërshtarët politikë të kryeministrit nuk ngurruan të hidhen në sulm, e t’i përshkruajnë komentet e tij si “një komplot mashtrues” për votuesit, përpara zgjedhjeve kyçe në vend.
Statusi i Jeruzalemit mbetet një prej çështjeve më të kontestuara mes shtetit hebre dhe palestinezëve. Për Morrisonin, një skenar i ardhshëm mund të përfshijë njohjen e një kryeqyteti të Autoritetit Palestinez nga Australia në lindje të Jeruzalemit dhe një kryeqyteti izraelit në perëndim të tij.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e dha menjëherë në Twitter pëlqimin e tij për këtë njohje të mundshme, të cilën paraardhësi i Morrisonit, Malcolm Turnbull e përjashtoi kategorikisht, pasi Donald Trumpi përmbysi dekada të tëra politikë të jashtme amerikane, me vendimin për ta njohur qytetin e lashtë si kryeqendrën e Izraelit.
Top Channel