Qeveria italiane ka ashpërsuar kursin e saj kundër refugjatëve në fshatin Riace në Kalabri. Pas arrestimit të kryetarit të bashkisë para dhjetë ditësh, Ministria e Brendshme tani kërkon zhvendosjen e refugjatëve që jetojnë në këtë fshat dhe dërgimin e tyre në vende të tjera.

Ndërkohë duhet të ndërpriten edhe projektet e filluara për integrimin e refugjatëve në Riace. Ministri i Brendshëm Salvini ka shkruar në twitter se “parregullsitë me përdorimin e parave publike nuk mund të tolerohen, as në rastet kur ato janë përdorur për migrantët”.

Prej arrestimit të tij në fillim të tetorit, kryetari i bashkisë është futur nën masa arresti shtëpiak. Prokuroria po heton kundër tij për shkak të nxitjes dhe ndihmës së “imigrimit ilegal në vend”. Ai fajësohet ndër tjera edhe për keqpërdorime, dhënien e punëve për organizatat e migrantëve në Riace.

Lucano ka kumtuar se qeveria do t’i shkatërrojë projektet e tij për integrimin e suksesshëm të migrantëve. Shumë njerëz, ndër ta edhe prominentë, si autori i librave kundër mafias Roberto Saviano, kanë kundërshtuar arrestimin e tij. Ata mendojnë se arrestimi është bërë për qëllime politike nga qeveria djathtiste. Të shqetësuara janë shprehur edhe organizatat e refugjatëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA