Të flesh në stola parku, në zonat publike, tani është e jashtëligjshme në Hungari. Ligji është miratuar nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban, e ka hyrë në fuqi nga e hëna, por Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar atë mizor dhe që shkel të drejtat e njeriut.

Ai nxjerr efektivisht jashtë ligjit jetesën në rrugë dhe është miratuar më herët nga Parlamenti në qershor. Qeveria thotë se lejimi i policisë për të larguar të pastrehët që flenë në ambiente publike është në interes të shoqërisë.

Dhjetëra e mijëra persona përllogaritet se janë të pastrehë dhe flenë rrugëve në Hungari. Ligji, që hyri në fuqi të hënën, është një version më i ashpër i një paraardhësi të tij të vitit 2013, që e bëri fjetjen në parqe apo rrugë krim të dënueshëm me gjobë.

“Qëllimi i tij është të garantojë që të pastrehët të mos qëndrojnë nëpër rrugë gjatë natës dhe qytetarët të përdorin hapësirën publike pa u cënuar”, tha Sekretari i shtetit për Çështjet Sociale, Attila Fulop.

Në qershor, Kombet e Bashkuara e quajtën ligjin mizor dhe të papërshtatshëm me Kartën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

“Cili është krimi që kryejnë këta të pastrehë? Fakti që përpiqen të mbijetojnë?”, pyeste OKB-ja në një letër drejtuar qeverisë. Në qendrat e hapura nga shteti ka rreth 11 mijë vende në dispozicion për të pastrehët. Por, ekspertët thonë se të paktën 20 mijë persona janë të pastrehë në të gjithë vendin.

Top Channel