Parlamenti i Maqedonisë nisi të hënën debatin mbi marrëveshjen për ndryshimin e emrit, një hap i rëndësishëm ky drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të hershme me Greqinë.
Kryeministri Zoran Zaev përballet me një betejë të vështirë për të siguruar dy të tretat e nevojshme për të ndryshuar emrin e vendit, në Maqedonia e Veriut, një lëvizje kjo që do t’i hapte rrugën anëtarësimit në NATO dhe BE.
Debati në Parlament mund të zgjasë nga një deri në 10 ditë. Deputetët, nga të gjitha partitë politike, tani dalin në podium për të debatuar mbi ndryshimet e propozuara, që do ta përfshinin emrin e ri në Kushtetutë.
“Parlamenti nuk ka legjitimitet të ecë përpara me këtë procedurë”, tha Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE.
Nëse votimi dështon, Zaev ka bërë të ditur tashmë se do të thërrasë zgjedhje të reja.
Por, ndërsa Zaev është në vështirësi në Shkup, edhe në Athinë duket se ka telashe. Udhëheqësi i partisë së “Grekëve të Pavarur”, anëtare e koalicionit qeverisës, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga koalicioni nëse marrëveshja për emrin do të dalë para Parlamentit.
“Nuk do të votoj për këtë marrëveshje nëse vjen në Parlament”, tha Panos Kammenos, njëherësh edhe ministër i Mbrojtjes. “Nëse shumica parlamentare vendos për divorc, divorci do të ndodhë”, tha ai.
Top Channel