Aleatët kristian-socialë të Merkel, CSU pësuan goditje të fortë në zgjedhjet e landit bavarez. Përgjegjësinë kryesore për këtë e ka sidomos kreu i partisë, Horst Seehofer, e kjo do të ketë pasoja për politikën e Berlinit, mendon Rosalia Romaniec.

Këto votime do të ndryshojnë shumë gjëra, jo vetëm në Bavari. Ajo që funksionoi për dekada me radhë, pra që t’u ofrohej votuesve me besueshmëri një CSU si parti e krishterë, konservatore, dhe në të njëjtën kohë sociale nuk funksionon më nga sot. Nga 48% në votimet e mëparshme, kjo parti u rrëzua të dielën në 37% të vlerave në votime. Nuk mund të zbukurohet asgjë, dështimi është historik.

Por një gjë duhet thënë që në fillim. Ky dështim i partisë popullore bavareze nuk është një dëm kolateral. Nuk është suksesi i të tjerëve, që çoi në dështimin e CSU-së. Për rënien e fortë kjo parti është vetë përgjegjëse.

Fitimtarë si majtas edhe djathtas CSU-së
Habia e vërtetë e këtyre zgjedhjeve është suksesi i Të Gjelbërve. Me gati 19% ata i kanë dyfishuar vlerat në elektorat dhe janë në rrugën më të mirë për t’u kthyer në një parti popullore. Edhe në nivel federal. Në Bavari votuesit kristiansocialë kaluan tek të Gjelbrit, sepse ata elementin e krishterë që konservatorët e kanë emër të partisë e marrin më seriozisht. Me sa duket është kreu i Partisë Kristiansociale, Horst Seehofer që e ka harruar këtë. Shumë njerëz me sa duket nuk duan që t’ua injektojnë me zor, se frika nga islamizimi duhet të jetë më e madhe se arsyeja dhe dashuria për tjetrin.

Fitimtarja tjetër e këtyre zgjedhjeve, partia populiste, Alternativa për Gjermaninë, AfD nuk të habit. Hyrja e saj në 15 nga 16 lande gjermane i përgjigjet tendencës së përgjithshme në nivel federal. Fakti që ajo nuk fitoi 20% si pritej, por kapi afërsisht 10% është sigurisht shqetësues, por nuk mund të vlerësohet patjetër si një kthesë e fortë djathtas. Ky rezultat është pasojë e një vote protestuese dhe lidhet me gabimet e CSU-së.

Gabimi më i madh: Thyerja e tabusë në krahun e djathtë. Prej vitesh kjo parti bavareze ka ndjekur moton e babait të CSU-së, Franz-Josef Strauß dhe nuk lejoi forcimin djathtas saj të asnjë force konservatore. Në unionin CDU/CSU kjo parti përmbushte një funksion politik, që për dekada funksionoi, deri në vitin 2018, kur partia bavareze ra në panik dhe kopjoi politikën e AfD-së. Kur e kuptuan gabimin, një i mençur dhe kundërshtar i Merkelit, i kishte prishur ndërkohë shumë gjëra. Zoti Seehofer, të shkoi dëm, sot ju jeni përgjegjësi dhe humbësi!

Tërmeti ndjehet në Berlin
Pasoja e rrëmujës së Seehoferit ka sjellë erozionin e të gjithë unionit. Pa harruar dramën e socialdemokratëve. Partia Socialdemokrate ra nga 20% të votave në 10% në këto zgjedhje. Kriza e saj bëhet tani edhe më e dukshme. Kur një parti bashkëqeveris në Berlin dhe përjeton një goditje të tillë në zgjedhje, nuk ka për të kaluar pa pasoja në qeverisje. SPD-ja nuk po del nga roli i partisë që e kanë vënë përpara. Ajo duhet të ruajë qetësinë dhe të fitojë pikë me temat e saj, por kjo është më e lehtë të thuhet, se sa të bëhet realitet. Lidershipi i saj po has në kundërshti brenda radhëve, madje deri tek ata që kërkojnë dhënien fund të koalicionit të madh. Prandaj fërkimet dhe grindja shpejt nuk kanë për të munguar as në koalicionin qeverisës.

Tani Gjermania pret me interes zgjedhjet pas dy javësh në një land tjetër, në Hesen. Për partitë qeverisëse ato mund të kthehen në zgjedhje vendimtare. Nëse të dyja partitë edhe në këtë land pësojnë goditje të fortë nga elektorati, atëherë mund të ndodhë që koalicioni të lëkundet fuqishëm. Pak javë më vonë zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e partisë konservatore, CDU, Angela Merkel kërkon të rizgjidhet. E votimet në Bavari nuk kanë ndihmuar aspak në forcimin e pozicionit të saj dhe të qeverisë/// Nga Rosalia Romaniec, marrë nga DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA