Disfata në Bavari, Merkel premton të rifitojë besimin: CDU-CSU, të pandashëm

15/10/2018 17:29
Merkel dhe guvernatori i Bavarisë, Markus Soeder, nga CSU

Kancelarja gjermane Angela Merkel premtoi të hënën se do të rifitonte besimin e zgjedhësve. Reagimi i saj vjen pasi përplasjet brenda koalicionit të saj qeverisës, të përbërë nga 3 parti, u fajësuan për humbjet e rënda të partnerëve në zgjedhjet në Bavari.

Duke iu rikthyer një viti të trazuar që pasoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, që u përvijuan nga bisedime të dhimbshme për krijim koalicioni, shoqëruar nga përplasje mbi emigracionin, ajo pranoi se shumë besim ishte humbur.

Mësimi i saj nga zgjedhjet e së dielës në Bavari, ku partnerët e saj qeverisës të CSU-së dhe SPD-së pësuan humbje të rënda, ishte i konsiderueshëm.

“Si kancelare, unë duhet të bëj më shumë për të garantuar që besimi të rikthehet. CDU-ja dhe simotra e saj bavareze, CSU, duhet të veprojnë tashmë të bashkuara”, tha Merkel.

Partitë qeverisëse u shokuan jo pak gjatë zgjedhjeve të së dielës, pas rënieve të konsiderueshme të pësuara. Fituesit më të mëdhenj ishin “Të gjelbrit” në opozitë, që u bënë partia e dytë më e madhe në Bavari.

Ndërsa “Alternativa për Gjermaninë”, e ekstremit të djathtë, mori 10 për qind të votave, që u prit me entuziazëm nga udhëheqësit e djathtë europianë, përfshirë Marine Le Pen në Francë dhe Matteo Salvinin në Itali, sipas të cilit në Bavari kishte fituar ndryshimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA