Arabia Saudite ka hedhur poshtë kërcënimet politike dhe ekonomike ndaj saj në lidhje me rastin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi. Vendi do të reagojë ndaj çdo veprimi ndëshkues me një reagim akoma më të ashpër – citohet nga mediat ndërkombëtare një zyrtar saudit.

Khashoggi, një kritik i qeverisë saudite, u zhduk më 2 tetor pasi ky i fundit hyri në konsullatën e saj në Stamboll. Presidenti amerikan, Donald Trump tha se ai do ta dënonte Arabinë Saudite nëse ajo do të rezultonte përgjegjëse për vrasjen e tij.

Të dielën, në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, kërkuan një hetim të besueshëm për të garantuar që përgjegjësit për zhdukjen e Khashoggit, të zbulohen dhe të japin llogari.

“Ne inkurajojmë përpjekjet turko saudite në këtë aspekt dhe presim që qeveria saudite të japë përgjigje të plota dhe të detajuara”, thanë Jeremy Hunt, Jean-Yves Le Drian dhe Heiko Maas.

Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ashtu po marrin në konsideratë mundësinë e bojkotimit të një konference të rëndësishme ndërkombëtare në Arabinë Saudite, këtë muaj.

Autoritetet në Stamboll besojnë se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës nga agjentë sauditë, pretendime këto që Riadi i ka hedhur poshtë duke i quajtur gënjeshtra. Televizionet turke kanë transmetuar pamje të kamerave të sigurisë të momentit kur Khashoggi ka hyrë në konsullatë nga ku mendohet se nuk ka dalë më.

Top Channel