Pastori i liruar amerikan, Andrew Brunson u ul në gjunjë në Zyrën Ovale dhe vendosi dorën e tij mbi shpatullat e presidentit Donald Trump në lutjen e së shtunës, duke i kërkuar Zotit t’i japë shefit të Shtëpisë së Bardhë “urtësinë e mençurinë e mbinatyrshme për të përmbushur të gjitha planet për vendin dhe veten e tij”.

Trump e mirëpriti Brunsonin në Shtëpinë e Bardhë për të festuar lirimin e tij pas afro dy vitesh burgosjeje në Turqi, gjë që shkaktoi edhe një mosmarrëveshje diplomatike me një aleat kyç e për më tepër edhe irritim nga grupet ungjillore amerikane.

Brunsoni u rikthye në SHBA në bordin e një avioni ushtarak, vetëm pak para se të takonte presidentin. Ai ishte ndaluar që prej tetorit të vitit 2016, zyrtarisht i arrestuar në dhjetor të po atij viti, por që mundi të dilte në arrest shtëpiak prej 25 korrikut për arsye shëndetësore.

“Nga një qeli turke, në Shtëpinë e Bardhë brenda 24 orësh. Nuk është keq, apo jo?”, komentoi Trump.

Rikthimi në shtëpi i Brunsonit shënon një fitore diplomatike, e ndoshta edhe politike për Trumpin dhe bazën e tij ungjillore. E teksa vjen vetëm pak pas konfirmimit të një gjykatësi konservator në Gjykatën Supreme, kthimi në atdhe i Brunsonit pritet të lerë ndienja të mira mes të krishterëve ungjillorë rreth presidentit, e me shumë gjasa do të nxisë interesim më të madh për zgjedhjet e mesmandatit që do të mbahen më 6 nëntor.

Brunson u shfaq në gjendje të mirë shëndetësore e morale. Kur e pyeti Trumpin nëse mundej të lutej për të, presidenti iu përgjigj: Epo, unë kam më shumë nevojë se kushdo tjetër në këtë dhomë për lutjen, kështu që do të më pëlqente. Falemnderit.

Brunson u ngrit nga karrigia, u gjunjëzua pranë Trumpit dhe vendosi njërën dorë mbi shpatullat e tij. Ndërkohë që Trump ulte kokën e mbyllte sytë, Brunson i kërkoi Zotit:

“Jepi mençuri të mbinatyrshme për të përmbushur të gjitha planet që ka për vendin dhe për veten. Jepi urtësinë për të udhëhequr vendin drejt gjithçkaje që është e drejtë. Jepi ngulmimin, rezistencën dhe kurajon për të qëndruar krah së vërtetës. Të kërkoj ta mbrosh nga shpifjet e armiqve, nga ata që duan ta rrezikojnë. Të kërkoj ta bësh atë bekimin më të madh për këtë vend. Plotësojeni atë me dituri, forcë e këmbëngulje. Le të jetë ai një bekim për vendin tonë. Në emër të Jezusit, ne ju bekojmë. Amen”.

Brunson, me origjinë nga Black Mountain në Karolinën e Veriut, ka jetuar në Turqi me familjen e tij prej mbi dy dekadash dhe ka udhëhequr një grup njerëzish në Kishën e Ringjalljes në Izmir. Ai u akuzua për krime në emër të militantëve kurdë dhe për ndihmesë ndaj klerikut mysliman që jeton në Pensilvani, Fethullah Gulen, i akuzuar nga Turqia si “truri” i përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Ai rrezikonte deri në 35 vite burg, nëse do të shpallej fajtor.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel