Ministria e Brendshme e Italisë njoftoi se, të gjithë emigrantët në qytetin jugor Riace, që njihet si vend për mikpritjen e tyre, duhet të transferohen. Emigrantët duhet të lëvizin në qendra të tjera të emigrimit gjatë javës së ardhshme.

Ky vendim vjen pas arrestimit të kryetarit të Komunës së Riaces, Domenico Lucano, pas akuzave për organizimin e martesave për shkaqe emigrimi. Ai ishte vendosur në arrest shtëpie, pas një debati kombëtar mbi integrimin e emigrantëve.

Kryebashkiaku, i njohur si “Mimmo”, kishte pushtuar ballinat e medieve për programin e tij në mirëseardhjen e emigrantëve në Kalabri, duke iu ofruar shtëpi dhe punë, me shpresën se do të ndikojë në ekonominë e vendit.

Ai e nisi këtë sistem në vitin 1998, nën qeverinë e asaj kohe, dhe që nga atëherë qindra emigrantë i janë bashkuar këtij qyteti të vogël. Suksesi i programit ishte përkrahur nga të gjithë si model i integrimit, duke bërë që kryetari Lucano të zgjidhjet në mesin e 50 udhëheqësve më të mirë në botë në vitin 2016.

Arrestimi i tij më herët këtë muaj nxiti protesta dhe debat kombëtar në lidhje me projektin. Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, dhe partia e tij “Lega Nord” thanë se arrestimi i tij tregonte se qeveria i kishte shpallur luftë biznesit të emigracionit.

Përpjekjet e Salvinit për të goditur emigracionin në Itali kanë fituar lëvdata dhe kritika, që kur qeveria e re e koalicionit erdhi në pushtet në qershor.

Top Channel