Itali, bombë artizanale selisë së Lega Nord. Salvini: Kriminelë, s’do e ndalin ndryshimin!

14/10/2018 09:29

Një fishekzjarr i fuqishëm, ose një bombë e vogël artizanale e krijuar duke bërë bashkë disa fishekzjarre. Pikërisht kjo është ajo çfarë dyshohet nga hetuesit të ketë shkaktuar shpërthimin gjatë mesnatës,që ka shkatërruar vetrinat e selisë së “Lega Nord”-it në Tentino, në një distancë të voël nga kinemaja ku pasditen e kësaj të diele është parashikuar të flasë Matteo Salvini përpara zgjedhjeve provinciale të së dielës së ardhshme.

Shpërthimi zgjoi nga gjumi banorët e lagjes, të cilët dolën të gjithë në rrugë. Mbërriti madje edhe një autoambulancë, por duke qenë vonë, rrugët ishin bosh dhe askush nuk ka mbetur i plagosur. Por, vetëm pak orë janë dashur këtë mëngjes, që militantët e “Lega Nord” të largojnë mbetjet dhe të zëvendësojnë vetratën e selisë.

Sa i përket hetimeve, mëngjesin e sotëm është raportuar se janë ndaluar dy persona. “Falemnderit forcave të rendit, që mundën të identifikojnë dhe arrestojnë dy të dyshuarit për këtë ngjarje”, do të shprehej në orët e para të mëngjesit të sotëm Mirko Bisesti, sekretar i “Lega Nord” në Trentino.

Falenderimi nuk mungoi as nga guvernatori i Trentinos, Ugo Rossi. Por shumë shpejt erdhi reagimi i forcave të rendit, që njoftuan se janë ende në punë e sipër për identifikimin e përgjegjësve. “Asnjë person nuk rezulton momentalisht i ndaluar apo i identifikuar, në lidhje me hetimet mbi episodin në fjalë”, tha Sandro Raimondi, prokuror nga Trento.

Nuk mund të mungonte reagimi i vet zv.kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, Salvini. “Ishin anarkistët”, do të shprehej ai. “Disa persona kanë kuptuar se, pas dekadash të tëra, qytetarët e Trentos duan të ndryshojnë faqe, ndaj dhe reagojnë me dhunë. Por nuk kanë për ta ndaluar ndryshimin që duam të sjellim ne”, shton më tej ai.

“Shpresoj që të kalojnë ca kohë në qeli. Mua më pëlqejnë ata që kanë ide të ndryshme nga të miat, por që dinë t’i shprehin ato në respekt edhe të të miave. Ama, kush ngre dorë, nis të qëllojë apo të vendosë bomba, nuk është madje as anarkist, por një budalla, një kriminel që duhet të kalojë se s’bën disa ditë në burg, mbi të gjitha sepse ka shqetësuar banorët e zonës së Alas që donin të flinin”.

Zgjedhjet provinciale do të mbahen më 21 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA