“Nuk ka mundësi tjetër për të dy popujt përveç marrëveshjes së Prespës”, ka deklaruar kryeministri grek Aleksis Tsipras në fjalimine tij në Keshillin e Lartë të Partisë qeveritare Syriza vetëm disa ditë para se parlamenti i fqinjit verior të Greqisë, të votojë për ndryshimet kushtetuese që kërkon kjo marrëveshje.
“Marrëveshja e Prespës është një mundësi unike dhe e pazëvendësueshme për të dy popujt dhe për stabilitetin në Ballkan. Nëse fqinjët tanë nuk e aprovojnë atë, duhet të dinë dhe unë them me sinqeritet, se nuk ka alternativa të tjera”, tha Aleksis Tsipras, Kryeministër i Greqisë.
Në të njëjtën kohë, Tsipras i ka çuar mesazh të tërthortë, duke bërë të qartë se nuk ekziston ndonjë plan alternativ edhe aleatit te tij qeveritar ,ministrit te Mbrojtjes, Panos Kamenos. Ky i fundit në vizitën e tij në SHBA kishte parashtruar një plan të dytë në rast se dështon miratimi i marrëveshjes së Prespës, që parashikon një marrëveshjeje ushtarake midis Greqisë dhe gjithë fqinjëve të saj me qëllim krijimin e një barriere që do të ndalë depërtimin rus në Ballkan.
“Nëse nuk e ndryshojnë emrin e tyre kushtetues, dua të jem i qartë, edhe Greqia nuk do ta lejojë ketë. Nuk do të pranojë hyrjen e vendit fqinj në NATO, BE , ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare ose ne ndonjë formë bashkëpunimi ushtarak me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë”, u shpreh Tsipras.
Duke ju përgjigjur disa kritikave që përse e majta greke është kaq e lidhur me politikën e SHBA , Tsipras ka theksuar se Greqia ka kërkuar dhe ja ka arritur të këtë marrëdhënie të respektueshme reciproke me fuqitë e mëdha të rajonit dhe të botës, por nuk kërkon protektorë.
Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme për parlamentin europian dhe atyre lokale në majin e 2019 , Tsipras ka paralajmëruar grekët se nëse votojnë për konservatorët e Mitsotakis, në Europë do të fitojë Orban, ndërsa programi i Demokracisë së Re që flirton me të djathtën ekstreme për Greqinë është tepër neoliberal dhe se partia e tij Syriza do t’i rezistojë këtij kanibalizmi social që ai parashikon.
Top Channel