Ka nisur në Tiranë funksionimi i varrezave murale. Në to janë vendosur eshtrat e 6 shtetasve italianë që i përkasin periudhës para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Është shumë e rëndësishme të nisim procedurën për 102 shtetasit italianë të viteve ’30-’40, pra të epokës midis Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, për të dhënë një shembull se si kjo procedurë bëhet me shumë dinjitet, duke respektuar të gjithë kodet e besimit, kodet civile, duke mësuar nga një shtet modern”, tha Veliaj.
Për kryetarin e bashkisë, varrezat murale janë aplikuar prej shumë kohësh në disa shtete dhe ky është një trajtim modern në respekt të të larguarve nga jeta, duke shpjeguar deri diku kundërshtitë që janë hasur më herët për ngritjen e varrezave murale në Tiranë.
“E kuptoj se është një vendim i guximshëm, që ka shumë nevojë për shpjegim, por ama është një vendim i cili na modernizon. Nëse e pranojmë pa histeri, por me besimin se këto janë vetëm eshtrat fizike, kurse shpirti i njeriut është diku tjetër, dhe duke parë nga Italia një sistem modern, besoj se kemi trajtuar me dinjitet, por edhe me mend në kokë mënyrën se si respektohen njerëzit, se si trajtohet kjo hapësirë e limituar publike që kemi në qytet për varrezat”, tha Veliaj.
Ndryshe nga Italia, praktika e varrezave murale do të aplikohet vetëm me varret e vjetra, duke liruar kështu hapësira: “Jemi përpara një fakti ku, me mbi 3300 varrime çdo vit në Tiranë, kemi nevojë të vazhdueshme për më shumë hapësirë. Siç e shikoni, varrezat në Tufinë po i ngjiten malit të Dajtit, kurse varrezat në Sharrë po marrin gjithmonë e më shumë pronë nga qytetarët, që as këndej nuk na pëlqen kur i shpronësojmë për çështje të tilla. Nëse në Itali koha kur dikush prehet në një varrezë nën tokë është deri në 10 vjet para se të kalojë në një varrezë murale, ne po themi për varret mbi 70-80 vjeçare”.
Top Channel