Pastori amerikan Andreë Brunson, që është vendosur në qendër të konfliktit mes Ankarasë dhe Uashingtonit, ka dalë para një gjykate në Turqi për rifillimin e gjykimit mbi akuzat e lidhura me terrorizmin.

Vëzhguesit presin të shohin nëse ai do të lirohet apo jo, pasi Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me sanksione shtesë të rast të mbajtjes së Brunsonit në Turqi.

Brunson, 50-vjeçar, mund të dënohet me 35 vite burgim, nëse shpallet fajtor për terrorizëm dhe spiunazh.

Prokurorët e akuzojnë atë për kryerjen e krimeve në emër të grupeve terroriste. Ata supozojnë se Brunson është i lidhur me grupin e militantëve kurdë që udhëhiqet nga kleriku turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon për orkestrimin e tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 2016.

Brunson, që ka jetuar në Turqi prej më shumë se dy dekadash, i mohon akuzat. Uashingtoni deklaron se ai është duke u mbajtur padrejtësisht nga autoritetet turke, në kuadër të arrestimeve dhe masave qeveritare pas puçit të dështuar.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert u tha gazetarëve më 11 tetor se Uashingtoni shpreson që ai të lirohet shumë shpejt. Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dy zyrtarë turq dhe kanë dyfishuar tarifat mbi importet turke të çelikut dhe aluminit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka sfiduar kërkesat e SHBA-ve për lirimin e Brunsonit. Megjithatë, ai ka përmendur më herët ndonjë shkëmbim të mundshëm të Gulenit me Brunsonin.

Top Channel