Gazeta e njohur italiane, “Il mesaggero”, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë transformimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptare këto vitet e fundit.

Në reportazhin e saj, “Il mesaggero” thekson se Tirana ka pësuar një ndryshim rrënjësor falë Planit të ri Rregullues të arkitektit Italian Stefano Boeri.

Teksa e krahason transformimin që po pëson Tirana me ndryshimet që pësoi Italia pas Luftës së Dytë Botërore, gazeta italiane shkruan se Rilindja Urbane u hapi rrugë atij që sot është qytet paqësor, alegro dhe i projektuar në të ardhmen.

“Edhe e ardhmja e këtij kryeqyteti do të ketë vulën e Italisë pas adoptimit (zbatimit) të planit të ri rregullues të Stefano Boeri dhe me shumicën e arkitektëve italianë që po projektojnë lagjet e reja dhe shumicën e gradaçelave në ndërtim. Tirana pas rënies së komunizmit që e izoloi për 50 vite nga pjesa tjetër e botës dhe në fund edhe nga vendet e bllokut sovjetik, ka jetuar një periudhë kaosi. Ishte bërë një nga qytetet më të rrezikshme të Europës. Rilindja nisi në vitet 2000 me zgjedhjen si kryebashkiak të intelektualit dhe artistit Edi Rama, që sapo erdhi në drejtimin e kryeqytetit, duke mos pasur burime të mëdha, si shenjë të parë solli ngjyrat në periferitë e shkatërruara nga shembja e pallateve socialiste, duke i lyer me ngjyra të ndritshme. Ishte shkëndija që i hapi rrugë atij që sot e është qytet paqësor, alegro dhe i projektuar për të ardhmen. I aftë për të kthyer shumë shqiptarë që u arratisën në vitet ’90 dhe shumë italianë në kërkim të një shansi të dytë”, thuhet në artikull.

Gazetari I “Il mesaggero”, e nis udhëtimin e tij në kryeqytetin shqiptar pikërisht nga sheshi” Skënderbej” duke theksuar se kjo hapësirë fsheh edhe shpirtin e vërtetë të vendit. “Një udhëtim në zbulim kryeqytetit shqiptar nuk mund të nisë veçse nga sheshi “Skënderbej” që fsheh shpirtin e vërtetë të vendit. Një vendi ku 70 % e banorëve është i besimit mysliman, që i dedikon sheshin më të rëndësishëm patriotit katolik, Gjergj Kastrioti Skënderbeu që në vitin 1400 mbrojti Shqipërinë dhe Europën nga pushtimi osman, përfaqësohet aty në një statujë mbi kalë. Në të njëjtin shesh është përballë edhe Muzeu Historik Kombëtar, më i madhi dhe më i rëndësishmi i vendit me 8 pavijone dhe 18 mijë metra katrorë sipërfaqe ku përshkruhet gjithë historia e popullit shqiptar. Kur del nga muzeu, gjithmonë te sheshi, mund të admirosh xhaminë e Et’hem Beut dhe Kullën e Sahatit. Në shesh shfaqen edhe shumë nga dhomat e Plazës, hotelit më elegant të kryeqytetit, ku mund të prenotosh për të shijuar pamjen e mrekullueshme nga 23 katet e tij. Nga sheshi, përshkohet në këmbë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga më e rëndësishme e qytetit ku ndodhen përballë Kryeministria, rezidenca e Kreut të Shteti dhe ministritë kryesore”, citohet në artikull.

Ajo që i ka tërhequr vëmendjen gazetarit është edhe Piramida, me xhama dhe çimento të varfëruar (fatiscente) që përfaqëson mauzoleumin dedikuar Enver Hoxhës, por edhe Parku i Madh i Liqenit Artificial.

Në reportazhin e “Il mesaggero-s” nuk mund të mungonte edhe Pazari i Ri, një zonë që deri një vit më parë I ngjante më shumë një vendgrumbullimi plehrash e që sot është një nga pikat më të frekuentuara nga turistët. Gazetari Italian u rekomandon vizitorëve italianë edhe Malin e Dajtit.

“Për të thithur ajër të pastër dhe për të shijuar edhe një pamje spektakolare mbi luginën e Tiranës, mund të shkohet në Malin e Dajtit përmes teleferikut më të madh në Ballkan për 15 minuta dhe me një kosto rreth 6 euro. Shpirti i vërtetë i qytetit njihet duke takuar njerëzit në jetën e përditshme, si ata që frekuentojnë Pazarin e Ri, tregun kryesor të Tiranës, të restauruar së fundmi ku çdo ditë në tryeza ekspozohen prodhimet më të mira nga i gjithë vendi. Përreth ka dhjetëra restorante e lokale të çdo lloji, ku mund të konsumosh receta lokale, por edhe qofteri, pica apo hamburger. Mes të gjithave, qëndron restoranti italo-shqiptar, Markata e Peshkut që çdo ditë ofron peshk të freskët që vjen nga bregu i Adriatikut vetëm disa dhjetëra kilometra larg kryeqytetit”.

Për të gjithë ata që duan të shijojnë orët e vona të kryeqytetit, vendi I rekomanduar është zona e ish-bllokut, një zonë e mbushur jo vetëm me aktivitete të shumta biznesi, por edhe diskoteka e klube nate të hapura deri në agim. “Il mesaggero “Tashmë gjatë ditës zona është e mbushur me zyra private, call center, ndërsa çdo natë qyteti ndizet nga jeta e natës, me lokale, kazino, klube nate dhe diskoteka të çdo lloji, të hapura deri në agim. Në të ardhmen, zona e Bllokut do të jetë e destinuar të bëhet gjithnjë e më shumë zonë e drejtuar ndaj prestigjit dhe simbolit të Tiranës së ardhshme”, shkruan gazeta e njohur italiane.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA