Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kryeministri grek Alexis Tsipras kishin një mesazh të përbashkët për të dhënë: Pasi shtrënguan duart me njëri-tjetrin, që të dy bënë thirrje për integrim të mëtejshëm të BE-së përballë hovit të bëftë të populizmit.

Steinmeier dhe mikpritësi i tij gjatë ndalesës në Athinë kërkuan gjithashtu çeljen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe me argumentin se tensionet e shkaktuara nga kërkesat e rrepta gjermane lidhur me masat antikrizë të Greqisë, duhet të hidhen pas krahëve.

Duke nënvizuar sesi Greqia është në linjën e parë të frontit përsa i takon fluksit të emigrantëve në Europë, kreu i shtetit gjerman e bëri të qartë se asnjë konsensus apo politikë emigracioni nuk funksionon pa solidaritet.

Ne fjalët e Steinmeier lexohej mbështetja e tij për friken e Tsiprasit mbi rreziqet që bart në vetvete nacionalizmi për ardhmërinë e bllokut europian.

“Ne duhet të ndërmarrim hapa për t’i bindur qytetarët europiane se është ende e mundur të dalim të bashkuar nga krizat dhe t’i mbajmë në fre zërat ekstremiste e ata populistë. Ne jemi tani në një moment të rëndësishëm kur mund të çelim një kapitull të ri të marrëdhënieve tona”, u shpreh Frank-Walter Steinmeier, president i Gjermanisë.

Tsiprasi nuk e përmendi çështjen nevralgjike të dëmeve të luftës. Një komision i ekspertëve të Parlamentit grekë ka llogaritur në 2015-ten se ato kanë qenë të paktën 289 miliardë Euro. Qeveria gjermane i ka hedhur poshtë kërkesat e Greqisë me argumentin se te gjitha obligimet gjermane për këto dëme janë paguar më parë, e megjithatë Athina vazhdon ta pretendojë dëmshpërblimin.

Top Channel