Dy vjet nga krijimi i rrjetit të vullnetarëve nga Bashkia e Tiranës, atij i janë shtuar qindra të rinj, të cilët japin kontributin e tyre në organizimin dhe mbarëvatjen e shumë aktiviteteve sportive, kulturore, si Maratona e Tiranës, Tirana Art Fest apo ditët e pastrimit të qytetit.
10 prej këtyre të rinjve, mjekë dhe infermierë që ndihmuan së fundi edhe në Maratonën e Tiranës, kanë marrë certifikata mirënjohjeje nga kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj.
“Në shumicën e kohës jemi ankues profesionistë, jemi specialistë të tregojmë si nuk bëhet një gjë dhe patjetër, japim mend nga kafja apo pika e basteve. Por, hanë bukë veç ata njerëz që thonë: “Unë s’jam pjesë e këtij kori qaramanësh, dua të bëj diçka të veçantë, qoftë edhe pa pagesë, të jap kontributin tim dhe të jem shembull se si bëhet më mirë”. Me këtë projekt-pilot kemi vendosur bazat, kemi mësuar çfarë funksionon e çfarë jo, si mund ta bëjmë më mirë, por fakti që njerëzit i janë kthyer vrapit, ecjes, daljes në natyrë, këndeve të lodrave, është diçka e mrekullueshme”, deklaroi Veliaj.
Rrjeti i vullnetarëve është planifikuasr të shtrihet edhe tek Pazari i Ri dhe në mjedise të tjera publike masive si sheshi “Skëndërbej”.
Top Channel