Gjuetia e peshqve mund të quhet shfarosëse për gjallesat e detit, por papërgjegjshmëria e këtyre personave ka tejkaluar çdo cak, duke vënë në rrezik edhe jetë njerëzish. Rastet nuk janë të pakta kur këto shpërthime kanë ndodhur fare pranë vendit, ku turistë apo zhytës po notonin.

Jeton Kalaja, një zhytës profesionist, tregon për “Top Story” sesi është dëmtuar nga shpërthimi me dinamit, të kryer nga persona të papërgjegjshëm. Aksidenti ka ndodhur në qershor të 2017-tës.

“E vendosa me një shokun tim, i cili praktikon shumë peshkimin me kallama dhe zhytjen, dhe vendosëm të shkonim në Jalë. Aty janë tri gjira të vegjël, njëri prej tyre është relativisht i thellë, i cili është i prekshëm vetëm me anë të skafave, varkave, mënyrave alternative, jo nga toka. Sapo bëj zhytjen, dëgjova një shpërthim. Veshi i djathtë mu blloku totalisht, e ndjeja si të mpirë pjesën e kokës, në anën e djathtë. Iu afrova atyre që po gjuanin lëndët plasëse duke u thënë mos hidhni më, por nuk më dëgjuan. Aty ishin dy individ, përgjigjja e të cilëve ishte se: ti nuk ke asgjë, as gjak as asgjë”. Madje më kërcënuan nëse doja të më hidhnin ndonjë tjetër”, rrëfen Jeton Kalaja.

Jetoni bën denoncim në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë. Por ende sot, pas gati një viti e gjysmë, nuk ka asnjë rezultat nga ky institucion.

Për raste të ngjashme si i Jetonit, politika bën me gisht sistemin e drejtësisë, pasi dhe kur shkelësit janë kapur, janë liruar nga gjykatat.

“Raste ka patur, dy raste në Lezhë, por pastaj ju e dini se si funksionojnë gjykatat dhe prokuroria dhe shpesh herë e kalojmë me ndonjë këshillim”, shprehet për Top Story Roland Kristo, zv. Ministër i Bujqësisë.

Top Channel