Top Story u ndal dhe tek gjuetia natën që realizohet me pushkë uji dhe me elektrik dore. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 402, për Menaxhimin e Burimeve Peshkore, ndalohet gjuetia me pushkë uji gjatë natës, nga perëndimi deri në agim.

Por mjafton të dalësh në orët e vona në bregdet dhe i shikon këto “xixëllonja” të ujit që patrullojnë fundit e detit pa pushim me orë të tëra. Drita i bën peshqit të verbohen dhe të qëndrojnë pa lëvizur. Të vrasësh peshq në këtë mënyrë, nuk është më gjueti, por një masakër nënujore.

Paligjshmëria nuk qëndron vetëm në faktin se ku zhvillohet peshkimi dhe me çfarë mjetesh, por edhe tek peshkimi i specieve të ndaluara. Gjatë bregut të Karaburunit, shohim shkëmbinj të copëtuar me mjete të forta, si çekiç dhe daltë. Në këto copa shkëmbi që duken si të shpuara tej për tej dikur kanë jetuar gurë shpuesit, ose e njohur ndryshe si daterit. Një molusk i ngjashëm me midhjet që është në rrezik zhdukje.

“Në pjesën e shkëmbinjve gëlqerorë ku ka dateri, por që tregtohet nëpër restorante, është kthyer në një gurore. Gjatë gjithë vijës ka shkëmbinj të copëtuar për të nxjerrë daterin”, tregon Blendi Laci.

Ngjyra e bardhe e shkëmbinjve të thyer nën ujë, tregon që ky shkëmb është goditur vetëm pak ditë më parë. Aty duken qartë vrimat e shpuara ne shkëmb që tani janë bosh. Daterit janë marrë.

Dateri është një gjallesë tepër e veçantë, pasi duhen nga 15 deri në 35 vjet që ajo të rritet. Në një copë shkëmbi të tillë, ku mund të nxirren më pak se 4 – 5 dateri të rritur, janë vrarë më qindra individë të vegjël duke zhdukur kështu gjeneratën e re të kësaj gjallese.

Xhemal Mato: Të huajt kujtojnë se në Shqipëri është normale të hanë dater nëpër restorante. Ndërkohë që është e ndaluar me ligj. Ne kemi parë dhe reklamë që: Kemi dater në restorantin tonë. Qesharake.

Këto pamje nga restorante të ndryshëm, tregojnë qartë se dateri ofrohet sot për klientët në mënyrë të hapur. Reklamat për pjata me dateri postohen çdo ditë në rrjetet sociale.

Top Channel