“Masakra nën dallgë”, është kjo tema që Top Story solli sonte në ekranin e Top Channel. Bëhet fjalë për peshkimin e paligjshëm, një problem i shtrirë në të gjithë vijën bregdetare. Një vrasës i heshtur që çdo ditë po zhduk edhe gjallesat e fundit që kanë ngelur, në detin që na përket të gjithëve.

“Ky biodiversitet, pronë e të gjithë shqiptarëve, ka shkuar në rënie, sidomos pas viteve ’90, për shkak të metodave të jashtëligjshme të peshkimit”, tha për “Top Story” biologu Rigers Bakiu.

Masakrat mjedisore në Shqipëri nuk janë të padëgjuara e as të rralla, por ndërsa malet, pyjet dhe lumenjtë, mund të shihen me sy, shkatërrimi i detit mbetet i fshehur nën ujë.

Kjo pasuri nënujore sot po shkon drejtë një asgjësimi të plotë dhe kjo jo për faj të natyrës, por prej abuzimeve nga dora e njeriut.

“Mjediset tona bregdetare, nënujore është shumë e vështirë të thuhet se sa është dëmtimi. Por ama që është lënë i lirë, i pakontrolluar, i pamenaxhuar, i pa ndjekur për të dënuar fajtorët, kjo është e qartë. Kjo do të thotë që dëmi ka qenë shumë i madh”, thotë për Top Story, Xhemal Mato”.

Top Channel