Enrik Sulejmani u shkarkua nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve, pasi sipas Ministrisë së Drejtësisë, ai nuk përmbushi detyrën e tij gjatë përpjekjeve për të larguar Ervis Martinajn nga Spitali Amerikan 2 në Spitalin e Burgjeve.

Për të ekzekutuar vendimin e gjykatës, forcat e Policisë së Burgjeve janë paraqitur pranë spitalit, por mjekët kanë refuzuar të firmosin kartelën e pacientit. E gjitha kjo solli konflikt mes bluzave të bardha dhe burgjeve, të cilët mundën ta marrin 6 orë me vonesë të paraburgosurin.

Që prej të martës në mbrëmje, Ervis Martinaj, nën masën e sigurisë ‘arrest me burg me afat 30-ditor’, po mbahet e trajtohet në Spitalin e Burgjeve. Por transferimi i tij nga një spital privat në atë të Burgjeve ka sjellë gjithashtu edhe ndryshimin e masave të sigurisë. Përveç Policisë së Burgjeve janë angazhuar edhe forcat RENEA, të cilat janë në gatishmëri në hyrje të këtij institucioni.

Lexo edhe:
Shkarkohet shefi i sigurisë së burgjeve

Avokati i Martinajt thotë se konflikti ndodhi për shkak të gjendjes jo të mirë të klientit, pasi ai nuk mund të trajtohet në një spital që është nën rikonstruksion. Por ky version kundërshtohet nga Ministria e Drejtësisë, e cila i referohet vlerësimit të Mjekësisë Ligjore, që e evidenton gjendjen shëndetësore të të paraburgosurit të tillë që mund të kurohet në Spitalin e Burgjeve.

“Forcat e policisë kanë kërkuar që ta transferojnë atë te Spitali i Burgut. Por ndërkohë nuk kishin një epikrizë të nënshkruar nga mjekët që e kurojnë klientin tim. Pra ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe nuk kanë nënshkruar një epikrizë që mund të transferohej te Spitali i Burgut”, tha avokatii tij Mirash Martini.

E vërteta është se asnjë i paraburgosur nuk mund të dorëzohet në Spitalin e Burgjeve pa një epikrizë shoqëruese, mbi të cilën mjekët e radhës kujdesen për pacientin.

“Klienti im ka nënshkruar vet me dorën e tij një kërkesë dhe është larguar nga spitali, duke shkruar se Amerikani nuk mban përgjegjësi për gjendjen e tij”, shpjegoi më tej avokati mbrojtës.

Ministria e Drejtësisë shpjegon se ka depozituar kallëzim penal edhe ndaj spitalit privat, pasi dyshohet se ka penguar zbatimin e vendimit të gjykatës.

Top Channel