Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka mirëpritur vendimin e qeverisë për mbylljen e kazinove elektronike dhe basteve sportive në zonat e banuara. Në një deklarate thuhet se ky është një vendim i mirëpritur dhe i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një masë e rëndësishme në mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve që sjellin dëme të pariparueshme në familje dhe në shoqëri.

“Ne inkurajojmë dhe jemi përkrah çdo nismë, e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe mirëqenie në vendin tonë”, thotë Komuniteti Mysliman, që njëherësh inkurajojmë qeverinë dhe instancat shtetërore në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, të cilat janë të ndërlidhura dhe cënojnë sigurinë dhe paqen sociale në vend.

Edhe kisha katolike e mirëpret vendimin e qeverise ne lidhje me mbylljen e pikave te basteve dhe kazinove. “Lojërat e fatit dhe bastet në Shqipëri janë kthyer në një gangrenë të vërtetë për shumë familje shqiptare. Kjo vështirëson edhe më shumë situatën tashmë të rënduar të një numri të madh familjesh të varfra.

Janë të shumtë ata që kanë humbur gjithçka dhe kanë çuar familjet e tyre drejt një falimentimi ekonomik dhe moral”, thuhet në deklaratën e Konferencës Ipshkvnore. Por kisha katolike thotë se kjo nismë është e pamjaftueshme nëse nuk bëhen përpjekje për përballjen me dukurinë e Ludopatisë, nëpërmjet hapjes së qendrave dhe klinikave të specializuara ku trajtohen personat e përfshirë në këtë lloj vartësie e cila tashmë klasifikohet si një sëmundje nga OBSH.

Gjithashtu bëhet urgjent dhe i nevojshëm evidentimi i situatave të rënda familjare dhe krijimi i programeve mbështetëse për rimëkëmbjen ekonomike të këtyre familjeve nga ana e shtetit dhe e strukturave të tjera.

Top Channel