Basha: Rama ka krijuar shtet privat. Komplot Rama-Marku-Xhafaj-Veliu për të manipuluar të vërtetën

10/10/2018 13:15

“Jemi në kushtet e një diktature mafioze”.

Pas publikimit të video-përgjimit me Fredi Alizotin, Lulzim Basha foli për komplot shtetëror me qëllim mbrojtjen e Agron Xhafajt.

“Mbrëmë, të gjithë shqiptarët panë fytyrën e këtij shteti privat dhe përbërjen e kësaj strukture: deputetë, drejtorë të policisë, prokurorë që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar kriminelët. Pra, kryeministri, ministri i Brendshëm, kreu i grupit parlamentar, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kanë komplotuar së bashku për të manipuluar të vërtetën, për të mbrojtur një trafikant droge, Agron Xhafajn dhe vëllain e tij, ministrin e Brendshëm”, tha Basha.

Me tone gati kërcënuese, Lulzim Basha paralajmëroi kryeministrin, Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë se nesër do të japin llogari para drejtësisë.

“Ky shtet privat, kjo diktaturë mafioze, duhet të shkatërrohet dhe do të shkatërrohet. Të gjithë ata që janë pjesë e tij dhe sot ndihen mbi ligjin do të japin llogari para ligjit. Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Arta Marku, Ardi Veliu dhe të gjithë shërbëtorët e tyre, të vegjël apo të mëdhenj, pjesë e manipulmit për të mbrojtur krimin, do të dalin para drejtësisë. Sikurse do të dalin të gjithë kriminelët, në shtet, në qeveri dhe në rrugë”, deklaroi kreu i PD-së.

Kryetari i Partisë Demorkatike, edhe pse deklaratën e pati për Fredi Alizotin, nuk e publikoi video-përgjimin në daljen e tij, ashtu siç ka bërë me kunatin e tij, Albert Veliu.

Top Channel