Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën shqetësim për, siç i quajtën ato, “mangësitë” në procesin zgjedhor në Bosnje, por theksuan se “mbeten të përkushtuara për një Bosnje të qëndrueshme dhe të begatë”.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha se shqetësimet kanë të bëjnë me saktësinë e regjistrimit të votuesve, paanshmërinë e vëzhguesve zgjedhorë, qasjen e barabartë në media dhe keqpërdorimin e burimeve publike.

Ajo nuk e bëri të qartë se çfarë saktësisht qëndron pas shqetësimeve të ngritura.

Në zgjedhjet e 7 tetorit në Bosnje, nacionalisti serb, Millorad Dodik, i cili ka bërë thirrje për ndarjen e Bosnjes, fitoi një vend në presidencën trepalëshe, së bashku me kandidatin boshnjak, Shefik Xhaferoviç, dhe atë kroat, Zhelko Komshiç.

Kundërshtarët e Dodikut po kërkojnë ndërkohë rinumërim të votave për shkak të, siç thuhet, “mospërputhjeve të shumta”. Dodik, një politikan nacionalist, që angazhohet për ndarjen e republikës serbe përmes një referendumi dhe që e quan Bosnje-Hercegovinën një shtet të dështuar.

Bosnja ka një sistem të komplikuar politik të vendosur me Marrëveshjen e Daytonit, që i dha fund luftës në Bosnje (1992-1995.) Ky vend përbëhet nga Republika serbe dhe Federate myslimane-kroate.

Top Channel