Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i kërkoi falje gjykatësit të ri të Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh, për, siç tha, “fushatën e gënjeshtrave” gjatë seancave të konfirmimit.
Trump iu referua debatit të ashpër lidhur me emërimin e Kavanaugh, pas akuzave për sulm seksual që u bënë kundër tij. Kavanaugh tha ndërkohë se nuk është i shqetësuar pavarësisht konfirmimit “të diskutueshëm”.
Gjykatësi u konfirmua nga Senati të shtunën, me 50 vota pro dhe 48 kundër. Konfirmimi i tij shihet si fitore e madhe për Trumpin, i cili arriti të zhvendosë balancën e Gjykatës Supreme në favor të konservatorëve. Një nga gratë që e akuzoi gjykatësin, Christine Blasey Ford, tha se Kavanaugh e ka sulmuar atë seksualisht në vitin 1982. Ajo dëshmoi para Komitetit të Senatit për Drejtësi dhe Trump, fillimisht, e cilësoi si “dëshmitare bindëse”, por më pas e vuri në dyshim besueshmërinë e saj dhe u tall me të.
“Në emër të kombit tonë, dua t’i kërkoj falje Brettit dhe gjithë familjes Kavanaugh për dhimbjen dhe vuajtjet e tmerrshme që keni qenë të detyruar t’i duroni”, tha Trump duke folur nga Shtëpia e Bardhë, ku edhe u mbajt ceremonia e betimit të gjykatësit më të ri të Gjykatës Supreme amerikane.
Gjykata Supreme është instanca më e lartë e gjyqësorit në SHBA dhe thotë fjalën e fundit për një seri çështjesh, duke filluar nga aborti e deri tek e drejta e posedimit të armëve.
Top Channel