Nga 1 janari nuk do të shikoni asnjë pikë bastesh në territorin e Shqipërisë. Qeveria vendosi t’u rezervojë basteve sportive një trajtim edhe më të rreptë sesa kazinove.

“Në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepenë për baste dhe, ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues, nuk do të ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar”, deklaroi Rama.

Për pronarët e këtyre bizneseve Rama kishte një paralajmërim, të cilin e veshi me nuanca politike.

“Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin, për ligjin ekzistues, me metodat që e çanë koalicionin qeverisës kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare, sqaroj edhe një gjë tjetër. Lotaria Kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike, ose siç njihen në gjuhën zyrtare VLT”, theksoi më tej Rama.

Ligji në fuqi nuk lejon publicitetin mediatik për lojërat e fatit, të cilin Top Channel e ka respektuar. Por, kryeministri ishte i rreptë kur iu drejtua aktorëve në tregun mediatik.

“Brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat apo nga portalet”, u shpreh Rama.

Top Channel