Përpjekjet e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal 100 vite më parë

09/10/2018 19:34

Bashkëpunimi rajonal mbetet një sfidë aktuale për Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet për të vendosur ura bashkëpunimi mes shteteve të Ballkanit Perëndimor sipas Fondit Arkivor Online të MEPJ-së dhe dokumenteve bashkëngjitur datojnë një shekull më parë, atëherë kur vendet e rajonit sapo kishin dalë nga Lufta e Parë Botërore, dhe Ballkani plotësoi hartën e tij politike me 6 shtete të pavarura, Shqipëria, Greqia, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (më pas u quajt Jugosllavi), Bullgaria, Rumania dhe Turqia.

Anglia si më e interesuara nga Fuqitë e Mëdha për të ruajtur ekujlibrat dhe status quo-në e vendosur përkohësisht në Evropë nga vendimet e Konferencës së Versajës, e kënaqur nga çfarë kishte arritur dhe shumë e interesuar për të shmangur një konflikt te ri, arriti të zbuste marrëdhëniet franko-gjermane, nëpërmjet Paktit të Lokarnos te vitit 1925, që garantonte paprekshmërinë e kufirit franko-gjerman. Ky pakt hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet këtyre shteteve, një marrëdhënie mirëkuptimi e dëshire reciproke për mirëkuptim dhe prosperitet. Këtë frymë Londra zyrtare u përpoq ta shtrinte edhe në rajone të tjera të nxehta në Evropë, ku më i spikaturi ishte Ballkani, jo vetëm për çështje konfliktuale të trashiguara nga vendimet e ndërkombëtarëve për rajonin, por edhe nga përplasja e interesave të Fuqive të Mëdha të interesuara në rajon kryesisht Franca dhe Italia. Në këtë kuadër historik në mesin e viteve 20-të fillon në Ballkan ideja e Lokarnos ballkanike, pra shtete që mirëkuptoheshin dhe shmangnin nevojën e ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha për të zgjidhur problemet midis tyre.

Jo rastësisht kjo ide artikulohet për herë të parë nga MPJ grek Rendis, përsa kohë Greqia ndodhej nën një influence të qëndrueshme angleze. Sipas legates shqiptare në Athine, Rendis bënte thirrje për një “arbitrazh të detyruar” në divergjencat midis shteteve ballkanike, sipas të cilit “..në fillim shtetet e kënaqura nga paqja e arritur, aleate të Antantës, të lidheshin ndërmjet tyre për të garantuar paqen në Ballkan dhe më pas të ftoheshin edhe shtetet e pakënaqura nga Versaja si Bullgaria.”. Ishte vendosur që kjo ide të diskutohej në shtator 1925 në takimin më të afërt të Lidhjes së Kombeve. Në Gjenevë diplomatët shqiptarë u udhëzuan të merrnin kontakt me delegacionet ballkanike dhe të bëheshin të gjitha përpjekiet që Shqipëria të mos mbetej jashtë cdo marrëveshjeje ballknaike.

Çështja u dikutua në Lidhjen e Kombeve, por u prit me dyshim nga delegacionet ballkanike pjesëmarrëse. Shpesh ajo u konsiderua si një përpjekie e Greqisë për të mos njohur detyrimet që kishte ndaj shteteve të rajonit. Për Bullgarinë, tek shtetet ballkanike, ndryshe nga Fuqitë e Mëdha, “..mbretëron po ai mentalitet i vjetër dhe i keq i shtypjes së minoriteteve, plaga e e Ballkanit produkt i konferencave ndërkombëtare. Që të mund të realizohet një i tillë pakt, më parë lipset që çështja e minoriteteve të gjejë solisionin (zgjidhjen ) e saj njerëzore, ndryshe turbullirat në Ballkan nuk kanë të sosur dhe të drejtat e minoriteteve që sot po dërmohen nën thundrën ushtarake, shpejt a vone do të triumfojnë”. Si organizata e vetme ndërkombëtare që merrej me respektimin e të drejtave të minoriteteve për kohën, ata kërkonin ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve për të korrigjuar rrënjët e problemit, pasi çdo përpjekie tjetër e quanin krejt sipërfaqësore.

Projekti i viteve 1925-1926 për krijimin e “Lokarnos Ballkanke” nuk u realizua pasi nuk u arrit të mënjanoheshin kontradiktat kryesore midis vendeve ballkanike dhe të vetë Fuqive të Mëdha. Edhe pse dështuan përpjekiet për realizimin e një pakti ballkanik të garancisë dhe sigurimit në mesin e viteve ’20-të të shekullit XX, kjo ide nuk u braktis. Ajo u rimor në fillim të viteve ’30-të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA