Disa shpërthime kanë ndodhur në një depo armësh në Ukrainë, çka ka çuar në evakuimin e mijëra personave. Videot në mediat sociale tregonin shpërthime dhe zjarr në horizont, në afërsi të Ichnya-s në rajonin Chernihiv.

Rreth 10 mijë persona u evakuuan nga zona përreth magazinave që ndodhen 176 km në verilindje të kryeqytetit Kiev.

Ende nuk është bërë e ditur për të lënduar apo viktima në incident. Kryeministri ukrainas, Volodimir Groysman, në një postim në Twitter tha se autoritetet lokale do të siguronin strehimin e të evakuuarve dhe se shërbimet e emergjencave janë në shërbim të komunitetit.

Shpërthimi i parë në depo ka ndodhur rreth orës 3.30 minuta të mëngjesit, sipas orës lokale. Menjëherë më pas është mbyllur hapësira ajrore në një rreze prej 20 km. Hekurudha dhe transporti rrugor po ashtu në zonë është ndërprerë. Shpërthime në depo municionesh ka pasur edhe më parë në Ukrainë, ndërkohë që vendi vazhdon luftën me separatistët pro-rusë në rajonet e tij lindore.

Në shtator të vitit të shkuar, 28 mijë persona u evakuuan pasi një zjarr i madh përfshiu një depo armësh në Ukrainën qendrore, ndërsa në mars të të njëjtit vit, një magazinë armësh në një bazë afër Kharkivit po ashtu u përfshi nga flakët.

Top Channel