Një nga personat që ka dijeni për përplasjen e armatosur në Bllok, me një të vrarë dhe 2 të plagosur është edhe këngëtarja e famshme Elvana Gjata.

Kjo e fundit njihet si e fejuara e Ervin Matës, njërit nga personat e përfshirë në konflikt. Por ndonëse kanë kaluar 5 ditë nga ngjarja, këngëtarja, e cila sipas verifikimeve, ka qenë e pranishme në lokal pak minuta para shkrepjes së armëve, ende nuk ka dhënë deponimin e saj.

Për këtë arsye organi akuzës ka urdhëruar policinë të marrë masa për shoqërimin e detyrueshëm të këngëtares.

Elvana Gjata rezulton të jetë larguar nga territori i Shqipërisë, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë edhe i dashuri i saj Ervin Mata, komando Merviol Bilo si dhe Fabjol Alushi.

Burime policore nuk përjashtojnë mundësinë që edhe komando Mervjol Bilo të jetë larguar ilegalisht nga Shqipëria duke shfrytëzuar edhe aftësitë e tij ushtarake për mbijetesë, por po sipas burimeve, janë bërë edhe tentativa që 41-vjeçari të vetëdorëzohet.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen e rëndë të të enjtes së kaluar, përveç ngacmimit të këngëtares Elvana Gjata, hetimet janë fokusuar edhe në një pistë të mundshme të prishjes së pazareve të drogës apo borxheve në shuma të mëdha parash, të cilat janë bërë shkak për disa ngjarje zinxhirë që përfunduan me përplasje me armë.

Top Channel