Mancini modifikon listën dhe tregon pse la jashtë Balotellin dhe Belottin

09/10/2018 02:59

Italia e Roberto Mancinit ka nisur sot grumbullimin në prag të dy ndeshjeve që do të luajë këtë javë, miqësoren ndaj Ukrainës në Gjenova dhe sfidën për Ligën e Kombeve në Chorzow ndaj Polonisë.

Në qendrën stërvitore të kombëtares italiane u paraqitën të gjithë lojtarët e grumbulluar nga Mancio, por pas verifikimit, Romagnoli, D’Ambrosio dhe Cutrone u larguan, pasi nuk ishin në gjendje të mirë fizike, ndërsa u thirrën në vend të tyre Tonelli i Sampdorias dhe Piccini i Valencias.

“Duhet të bëjmë shumë mirë në Ligën e Kombeve, por objektivi ynë është që të shkojmë në Europian dhe mendoj se kemi një organikë shumë cilësore, për të synuar këtë objektiv. Po bëjmë një punë të re dhe po integrojmë futbollistë që në eliminatoret e Europianit të jenë liderë të kësaj Italie”, deklaroi Mancini.

Trajneri i Italisë vendosi të lërë jashtë këtë herë “beniaminin” e tij, Mario Balotellin dhe sulmuesin e Torinos, Andrea Belottin, për të cilët tha se aktualisht nuk janë në formë aspak të mirë, për të qenë të gatshëm të kontribuojnë për kombëtaren.

“Janë dy sulmues të mirë, pjesë të kombëtares dhe me karakteristika të ndryshme, që mund të na bëjnë shumë punë. Por këtë herë ata nuk janë në formën më të mirë, ndaj lënia jashtë ishte një zgjedhje teknike, Kur të jenë më mirë, patjetër që do të ftohen dhe do të kontribuojnë”, tha tekniku italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA