Kisha Ortodokse Greke refuzon bisedimet me Rusinë për të ndalur autoqefalinë e Kishës së Kievit

09/10/2018 23:14

Kisha Ortodokse e Greqisë do t’i rezistojë një shtytjeje nga bashkëfetarët e saj rusë për të marrë pjesë në bisedimet për të ndalur largimin e Kishës së Ukrainës nga orbita e Moskës, thanë zyrtarët grekë të kishës.

Kisha Ortodokse e Ukrainës dëshiron të bëhet plotësisht vetë-qeverisëse ose autoqefale dhe ka kërkuar mbështetjen e Patriarkut Ekumenik të Konstandinopojës, udhëheqësit shpirtëror të rreth 250 milionë të krishterëve ortodoksë në botë.

Në tentativë për të parandaluar ndarjen e Ukrainës, kreu i kishës ortodokse ruse, Patriarku Kirill, i ka shkruar të gjitha Kishave ortodokse autoqefale, duke u bërë thirrje për bisedime rreth situatës në Ukrainë.

“Kisha greke e shqyrtoi letrën dhe do të përgjigjet shumë shpejt. Gjithsesi mund të them se Kisha Ortodokse Greke nuk është në favor të pjesëmarrjes në këto bisedime”, deklaroi një burim pranë Kishës Ortodokse Greke, që preferoi të mbetet anonim.

Kisha Ortodokse Bullgare gjithashtu hodhi poshtë thirrjen ruse për bisedime javën e kaluar, ndërsa me Kishën Greke, numri zyrtar i kishave autoqefale që refuzojnë thirrjen e Kirill, shkon në dy.

Kisha Ruse deklaroi muajin e kaluar se nuk do të merrte pjesë në strukturat e kryesuara nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, e cila pritet të vendosë së shpejti nëse mbështet thirrjen e pavarësisë së Kishës së Kievit.

“Vlerësimi është se Patriarkana Ekumenike do të shqyrtojë çështjen e autoqefalisë së kishës së Ukrainës në muajt e ardhshëm, ndoshta deri në fund të tetorit. Vetëm pas kësaj, Kisha Ortodokse Greke do të mbajë qëndrimin e saj”, tha zyrtari grek.

Patriarku Ekumenik, aktualisht Bartholomew, nuk ka fuqinë që gëzon Papa në Kishën Katolike Romake, por tradicionalisht konsiderohet si ‘i pari midis të barabartëve’, midis patriarkëve të kishave ortodokse vetëqeverisëse.

Patriarku ekumenik banon në qytetin turk të Stambollit, ish Konstandinopojën, e cila ka mbetur selia historike e ortodoksisë, pavarësisht nga rënia e saj ndaj turqve muslimanë në vitin 1453.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA